Arbëri

QKMF-së në kryeqytet i vihet emri “Dr. Gani Demolli”

Nga 21 qershori, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në kryeqytet do të mbajë emrin e doktor Gani Demollit, i cili dha kontribut të madh në fushën e mjekësisë gjatë viteve ’90. Me këtë propozim para kryetarit të Prishtinës muaj më parë pati dalë drejtoresha menaxhuese e KOHËS, Flaka Surroi, por meritën për këtë propozim e mori drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku

Me 45 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, asamblistët e Komunës së Prishtinës miratuan vendimin për emërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Prishtinës me emrin e dr. Gani Demollit, i cili ishte themelues i shërbimit shëndetësor “Nëna Terezë”.

Rreth 9 muaj më parë, drejtoresha menaxhuese e KOHËS, Flaka Surroi, në emër edhe të kolegëve të doktor Gani Demollit nga shërbimi shëndetësor “Nëna Terezë”, i propozoi kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të marrë vendim që QKMF-ja të emërtohej me emrin  e dr. Gani Demollit, në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, më 18 mars 2024.

Por pas vendimit të Kuvendit Komunal të së enjtes, meritat për këtë i mori drejtori i Shëndetësisë në Komunë të Prishtinës, Izet Sadiku.

“Jam shumë i lumtur sot para jush me propozimin tim dhe të kryetarit, të sjellë propozimin për emërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare  me emrin e humanistit Gani Demolli”, ka thënë Sadiku.

Për këtë reagoi asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti. Ai i tha drejtorit Sadiku se propozimi është bërë shumë më herët dhe lexoi njoftimin që kishte publikuar në rrjetet sociale drejtoresha menaxhuese e KOHËS.  

Ky propozim u përkrah nga të gjitha grupet e asamblistëve në Kuvendin Komunal, megjithëse përfaqësuesi i asamblistëve të AAK-së, Bahri Gashi, kërkoi të bëhet një ndryshim në arsyetim.
“Drejtori e dha një biografi, por mua s’më pëlqeu arsyetimi që e dha. Gani Demolli është i njohur për Kosovën edhe po të mos jepet asnjë arsyetim, krejt e votojmë. Por në arsyetim nuk u cek që Kosova ka qenë në luftë dhe e okupuar dhe se gjatë kësaj periudhe ai staf është rrahur e maltretuar në shërbim të këtij populli”, ka thënë Gashi.

Asamblistja e PDK-së, Kumrije Shabani, e cila ishte pjesë e stafit të shërbimit shëndetësor “Nënë Tereza”, tha se kjo iniciativë është e vonuar.

“Jam shumë e emocionuar pasi edhe vetë kam qenë pjesë e stafit të këtij shërbimi shëndetësor. Madje është vonuar shumë kjo iniciativë. Është dashur më herët të bëhet ky emërtim i QKMF-së me emrin e dr. Gani Demollit. Kontributi i tij është për t’u vlerësuar nga të gjithë”, ka thënë Shabani.

Përurimi i emërtimit të QKMF-së me emrin “Dr. Gani Demolli” do të bëhet më 21 qershor, në Ditën e Shëndetësisë në kryeqytet.