Gjykata Themelore në Drenas ka lëshuar një aktgjykim ndaj Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, përmes së cilës i kërkon anulimin e vendimit të vitit 2022, kur kishte caktuar në pozitë të koordinatorit të cilësisë kandidatin që nuk kishte kaluar testin në konkursin e parë. Ndonëse që nga maji Gjykata ka kërkuar të rishpallet konkursi, nuk është përfillur një gjë e tillë. Në QKMF thonë se këtë vendim e kanë dërguar në Apel, e në Komunë të Drenasit nuk janë prononcuar rreth rastit.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas nuk ka përfillur një aktgjykim të muajit maj të Gjykatës Themelore.
Kjo qendër vazhdon të mbajë në pozitë të koordinatorit të cilësisë personin që në shtatorin e 2022-s nuk e kaloi testin në konkursin për këtë pozitë, pavarësisht kërkesës së Gjykatës për anulim dhe rishpallje të konkursit.
KOHA pati raportuar në gushtin e vitit të kaluar se si ligjshmëria e tij u kontestua në Gjykatë nga kandidatët e tjerë, meqë pas dështimit të konkursit të parë, Komuna nuk hapi të riun, brenda afatit ligjor.
“Anulohet vendimi i të paditurës QKMF i datës 19.10.2022 për emërimin e nëpunësit Daut Gjinovci, u.d. i koordinatorit të cilësisë dhe sigurisë nga QKMF-ja në Drenas, vendimi i datës 03.11.2022 i Komunës së Drenasit- Komisioni i ankesave për nëpunësit e shërbimit publik dhe konkursi i brendshëm që evidentohet me nr. 99 i datës 12.09.2022 për pozitën koordinator i cilësisë dhe sigurisë si të kundërligjshëm dhe detyrohet e paditura QKMF që ta rishpallë konkursin për pozitën e koordinatorit të cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore në KPSH”, thuhet në aktgjykimin e Themelores, degës Drenas.
Bazuar në vlerësimin e Gjykatës, Qendra e Mjekësisë Familjare nuk ka respektuar udhëzimin administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, sipas të cilit në rast të dështimit të konkursit të brendshëm është e obliguar që në afat prej 8 ditësh të nxjerrë vendim për publikim të konkursit publik për plotësimin e vendeve të lira të punës.
“Në rastin konkret e paditura pas dështimit të konkursit të brendshëm nr. 919/ 12.09.2022, në vend që brenda afateve ligjore të nxjerrë vendim për publikim të konkursit, e njëjta duke mos përfillur UA në fjalë, në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendim me nr. 45/19.10.2022, përmes të cilit Daut Gjinovci ishte caktuar zëvendësues koordinator i cilësisë dhe sigurisë shëndetësore në KPSH”, thuhet në aktgjykim.
Konkursi i parë kishte dështuar si shkak i moskalimit as 50% të testit nga ana e kandidatëve.
Sipas drejtorit të QKMF-së, aktgjykimi i shkallës së parë është dërguar në Gjykatë të Apelit, e konkursi pritet të shpallet në shtator.
“Lënda është në Gjykatë të Apelit. I ka tri javë apo katra që e kemi dërguar. Prej shtatorit e andej pritet me u rishpall konkursi për vende udhëheqëse. E kemi konsideruar vendim të padrejtë, sepse qarkorja informative e 2019-s na e lejon”, tha Ismet Bogiqi, drejtor i QKMF-së në Drenas.
KOHA ka provuar ta marrë një sqarim edhe nga drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Drenasit, Lumnije Gjoshi-Krapi, porse ajo nuk ka qenë e qasshme.