Arbëri

Qindra të mitur, viktima të abuzimit seksual

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Shfrytëzim e keqpërdorim seksual, në shkurtin e vitit 2020 përjetoi 13-vjeçarja N.N. (identitet i mbrojtur). Abuzimi seksual mbi këtë të mitur dyshohet se nuk u bë vetëm nga një person.

Fillimisht keqpërdorimin seksual ndaj të miturës e kishte nisur një 21- vjeçar, e më pas edhe një 30-vjeçar. Njërit prej të dyshuarve për dhunim, viktima nuk ia di emrin. Krejt çfarë i kujtohet është pamja e tij, por jo mjaft e qartë.

“Unë nuk e di emrin e tij si quhet, ka qenë personi që na ka dërguar me një kombi të bardhë tek moteli... Nuk e di emrin se si quhet, ka qenë me flokë të shkurtra si tullac në kokë”, është rrëfimi i të miturës dhënë organeve të hetuesisë.

Rrëfime të tilla të vajzave të mitura nuk janë të pakta. Mesatarja e rasteve në Kosovë, deri këtë vit, ka qenë diku 100 dhunime e keqpërdorime seksuale. Afro 90 për qind e viktimave janë vajza.

Viktimat shpesh riviktimizohen. Në mesin e tyre është edhe e mitura N.N.

Në polici ajo ka rrëfyer ditën kur e kishte kuptuar që ishte shtatzënë, disa javë para se të mbushte 14 vjet.

“E kam njoftuar A.A. (identitet i mbrojtur) së jam shtatzënë. Fillimisht e ka kundërshtuar... Më kujtohet se në ato momente është nervozuar. Më ka thënë së fëmija nuk është i tij, dhe bon çka të dush”, ka rrëfyer në hetuesi kjo e mitur bisedën me njërin nga personat të cilët ajo i ka denoncuar për dhunim.

“Hulumtimi i RrGK-së mbi ‘Ngacmimin seksual në Kosovë’ ka gjetur se rreth 49% e kosovarëve kanë përjetuar një formë të ngacmimeve seksuale gjatë jetës së tyre, ndërsa 45% kanë përjetuar vetëm në vitin 2014. Gratë (64%) kanë më shumë gjasa që të përjetojnë ngacmime seksuale sesa meshkujt (33%). Megjithatë, vetëm 4% e personave që kishin vuajtur nga ngacmimet seksuale i kanë raportuar ndonjëherë autoriteteve. Për më tepër, hulumtimi zbuloi se përfaqësuesit e institucioneve relevante kanë mungesë të njohurive në lidhje me ngacmimin seksual, përkufizimin e tij, kuadrin ligjor përkatës dhe procedurat e duhura për adresimin e tij. Ata tentojnë të keqkuptojnë ngacmimet seksuale si përdhunim ose sulme seksuale, ndërsa format ‘më pak të rënda’ ose ishin të panjohura ose ishin shkarkuar si ‘të parëndësishme’, thuhet në një raport të Rrjetit të Grave të Kosovës.

Aborti tek viktimat e keqpërdorimit seksual e shpërfaq edhe dështimin në sistemin shëndetësor. Janë shumë raste publike kur këto viktima përfundojnë në ordinanca private duke abortuar dhunshëm.

Rasti publik i njohur si “Drenasi”, kur një e mitur, vitin e kaluar, dyshohet se ishte keqpërdorur seksualisht, nga mësuesi, polici e avokati, ka përfunduar me riaktivizim të së miturës, duke e detyruar të abortonte dhunshëm tek një gjinekolog. Rasti është përsëritur sërish.

Edhe 13-vjeçarja N.N. po ashtu është detyruar të abortojë. Në hetuesi nuk është specifikuar qartë se në cilën javë të shtatzënisë ishte detyruar t’i nënshtrohej ndërhyrjes. Por ajo në hetuesi, në prani të nënës, ka rrëfyer përpjekjet për të kryer abortin dhe vizitat që i kishte kryer tek disa gjinekologë.

“Jam kontrolluar tek mjeku, me ka thënë që jam tri javë”, ka thënë ajo. “Ditën e nesërme prapë jam taku me A.A. (v.j. i dyshuari për dhunim). Me kërkesë të tij ne kemi bërë edhe një kontroll tek mjeku, aty e kam bërë një ultrazë, dhe aty e kam dëgjuar mjekun duke thënë se fëmija nuk është mirë dhe mundet me të vdek në bark, dhe i njëjti m’i ka përshkruar barnat për abort të bebes”, ka bërë të ditur ajo në hetuesi.

Por tabletat nuk kishin mundur t’i blinin, sepse në recetë mungonte vula e mjekut. Abortin ka thënë t’ia ketë kryer më pas një mjek i moshuar. Nuk i kujtohen as emri i tij e as lokacioni i saktë. Vendi ku e ka kryer abortin është jashtë qytetit të saj të lindjes.

“Ordinanca nuk e di në cilën lagje ka qenë, por diku 300-400 metra larg stacionit të autobusëve”, ka përshkruar vendin ku ka kryer abortin.

Ligjërisht, aborti nuk mund të kryhet tek personat e rritur pas javës së dhjetë të shtatzënisë.

Për të miturat 16 vjeçe aborti bëhet në prani e me leje të prindit. Rastet e shtatzënive në moshë më të vogël nuk parashihen fare.

“Çdo femër e moshës mbi tetëmbëdhjetë (18) vjeç ka të drejtë që të kërkojë ndërprerjen elektive të shtatzënësisë; Femrat që kanë arritur moshën e rritur prej gjashtëmbëdhjetë (16) vjetësh dhe kanë marrë pëlqimin e prindit ose të kujdestarit ligjor kanë të drejtë të kërkojnë ndërprerjen e shtatzënisë”, thuhet në Ligjin për ndërprerje të shtatzënisë.

Katër persona pas denoncimit të kësaj të miture janë arrestuar. Dy prej tyre të dyshuar për dhunim e dy mjekë për detyrim për abort.

Por jo të gjitha rastet që denoncohen përfundojnë me urdhërarrest.

Image
“Rreth 90 për qind e viktimave të dhunës seksuale janë të gjinisë femërore. Mesatarisht nga viti në vit janë rreth 100 viktima të dhunës seksuale që ekzaminohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, që u përkasin moshave 11 deri në 16 vjeç”, ka bërë të ditur Bergita Curri, specialiste në Institutin e Mjekësisë Ligjore

 

Drejtësia jofunksionale

Policia e Kosovës çdo ditë dërgon raporte 24-orëshe, me ngjarjet që e kanë shoqëruar ditën paraprake.

Në njërën nga to, bëhet e ditur se një e mitur ka hapur një rast dhunimi në gushtin e këtij viti. Policia e Kosovës ka njoftuar për këtë në fund të raportit. Ka treguar që personi që është arrestuar, është liruar menjëherë pas intervistimit, ani pse hetimi vazhdon.

“Më datën 28.08.2020 viktima e mitur femër kosovare ka raportuar se është dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në praninë e mbrojtësit të tij, pastaj me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Përveçse raste të shumta të keqpërdorimeve seksuale mbrohen në liri, gjykimet shpesh përfundojnë me dënime minimale.

“Sepse në kohë të pacaktuar, gjatë ditëve të stinës së pranverës e deri në vjeshtë të vitit 2016 në fshatin..., Komuna e Gjilanit, para se e dëmtuara t’i mbushë 16 vjet, i pandehuri e ka keqpërdorur seksualisht duke e shfrytëzuar papjekurinë biologjike, cenon dinjitetin dhe integritetin seksual të dëmtuarës (identitet i mbrojtur), lindur me datën...”, thuhet në një aktgjykim të një viti me parë.

Dënimi sipas aktgjykimit është minimal.

“Me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar e të akuzuarit nën masën e paraburgimit prej datës 22.02.2018 e deri me datën 13.03.2018 si dhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak prej datës 14.03.2018 e deri me datën 22.03.2018. I akuzuari detyrohet që dënimin me burgim ta mbajë në afat prej 15 ditësh nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë”, thuhet në këtë aktgjykim.

Veprat penale që lidhen me keqpërdorimet seksuale të të miturve shpesh “zbuten” gjatë trajtimit nëpër shkallët gjyqësore.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit B.S., av. B.H., ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, PKR.nr.39/2018, të dt.18.04.2018, përkitazi me vendimin për dënimin me burgim, ashtu që kolegji i kësaj gjykate të akuzuarit B.S., për shkak të veprës penale keqpërdorimi seksual i personave nën moshën 16 vjet, nga neni 235 par.2 nënpar.2.3 lidhur me par.1 të KPRK, i shqipton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve”, thuhet në vendimin e Apelit, i cili pati ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë ku dënimi ishte me i ashpër për 2 vjet burg.

Janë të rralla rastet kur keqpërdorimi seksual i të miturve ka marrë dënim të ashpër.

K. Veseli, 11-vjeçar nga Fushë-Kosova, është vrarë vitin e kaluar. Vrasësi para se t’ia merrte jetën të miturit, e kishte keqpërdorur seksualisht. Rasti ishte denoncuar në hetuesi, por me dhunuesin që ishte shndërruar edhe në vrasës nuk ishte marrë askush. Gjykimi për këtë vrasje ka përfunduar para disa javësh. Me 25 vjet burgim është dënuar Sefedin Osmani. Gjykata Themelore atë e gjeti fajtor për dy vepra penale: vrasje e rëndë dhe dhunim.

“I akuzuari S. Osmani është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe dhunim’, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

11-vjeçari, nga komuniteti ashkali është gjetur i vdekur poshtë shkallëve të një objekti në korrikun e vitit 2019. Gjykata në aktgjykim thotë se i mituri ditën para së të vritej, ishte detyruar që të kryente akte seksuale. Vdekja është shkaktuar nga goditjet me mjete të forta.

“I akuzuari S. Osmani me datë 11.07.2019 në Fushë-Kosovë kishte detyruar të miturin K.V. të kryente akt seksual dhe pastaj kishte përdorur dhunë ndaj tij, duke e goditur me mjet të fortë, ku si pasojë e këtyre goditjeve kishte ardhur deri te vdekja e dhunshme e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Sefedin Osmani akuzohej se e ka dhunuar K. Veselin edhe para datës 11 korrik 2019, ditën kur u gjet i vrarë. Sipas shkresave të rastit, Osmani akuzohej se ka dhunuar seksualisht K. Veselin edhe më 29 janar të vitit 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai dhe nëna e viktimës.

Pavarësisht veprës së rëndë për të cilën dyshohej Osmani, intervistimi nga Policia e Kosovës u krye vetëm pas 65 ditësh, më 4 prill, 2019. Në këtë intervistë, ai ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën. Tek pas 65 ditësh, Policia e Kosovës kërkoi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ekzaminim mjekoligjor të viktimës, por kjo e fundit tha se s’kishte nevojë. Edhe pse rasti u paraqit në Polici më 29 janar 2019, ky institucion parashtroi kallëzim penal në Prokurori Themelore të Prishtinës vetëm më 12 prill 2019.

Përkundër faktit se Sefedin Osmani kishte pranuar se ka dhunuar seksualisht K. Veselin, ndaj tij nuk u lëshua urdhërarrest e as nuk iu caktua masa e paraburgimit.

Osmani vazhdoi të lëvizte i lirë deri më 11 korrik, 2019, kur besohet se fillimisht dhunoi e më pas ia mori jetën 11-vjeçarit.

Avokatja Rina Kika, e cila ka përfaqësuar familjen Veseli, ka thënë për KOHËN se Gjykata ka mundur t’i shqiptojë dënim deri në 35 vjet Osmanit.

“Ne konsiderojmë se Gjykata do të duhej të shqiptonte dënim deri në 35 vjet, pasi Kodi Penal e lejon. Gjykata e ka dhënë një arsyetim, se Sefedin Osmanit nuk mund t’i shqiptohej dënim i përjetshëm, pasi ka qenë 19 vjeç kur e ka kryer krimin. Por ka një përjashtim, se kur vepra është për dënim të përjetshëm dhe kryesi i saj është më i ri se 21 vjeç, atëherë mund t’i shqiptohet dënim deri në 35 vjet”, ka thënë Kika.

Vetë 4 për qind e rasteve janë denoncuar në polici

Organizata që merren me trajtimin e rasteve të tilla kanë qenë vazhdimisht kritike për atë së si trajtohen kryerësit për veprat penale që lidhen me keqpërdorime seksuale. Ngacmimi seksual nuk ka qenë fare vepër penale në vete, deri vitin e kaluar kur është futur në Kodin e Ri Penal.

Katër për qind e personave që kanë përjetuar ngacmim seksual kishin denoncuar rastet, por se institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur t’i adresojnë ato.

“Hulumtimi i RrGK-së mbi ‘Ngacmimin seksual në Kosovë’ ka gjetur se rreth 49% e kosovarëve kanë përjetuar një formë të ngacmimeve seksuale gjatë jetës së tyre, ndërsa 45% kanë përjetuar vetëm në vitin 2014. Gratë (64%) kanë më shumë gjasa që të përjetojnë ngacmime seksuale sesa meshkujt (33%). Megjithatë, vetëm 4% e personave që kishin vuajtur nga ngacmimet seksuale i kanë raportuar ndonjëherë autoriteteve. Për më tepër, hulumtimi zbuloi se përfaqësuesit e institucioneve relevante kanë mungesë të njohurive në lidhje me ngacmimin seksual, përkufizimin e tij, kuadrin ligjor përkatës dhe procedurat e duhura për adresimin e tij. Ata tentojnë të keqkuptojnë ngacmimet seksuale si përdhunim ose sulme seksuale, ndërsa format ‘më pak të rënda’ ose ishin të panjohura ose ishin shkarkuar si ‘të parëndësishme’, thuhet në një raport të Rrjetit të Grave të Kosovës.

Në Kodin e Ri, që ka hyrë në fuqi në vitin 2019, secili që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Është penalizuar edhe cenimi i dinjitetit në aspektin seksual. Neni183 paragrafi 2 nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues.

Paragrafi tutje tregon se dënim i veçantë parashihet për kryerësin e kësaj vepre penale, nga personi i cili është mësues, për personat si udhëheqës fetarë, profesionist i kujdesit shëndetësor, person të cilit i është besuar rritja ose kujdesi i personit të tillë apo në ndonjë mënyrë tjetër ka pozitë të autoritetit mbi atë person. Dënimi në të tilla raste është i përcaktua nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Kur vepra penale e ngacmimit seksual kryhet me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit mendor apo fizik, kryerësi dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

Përkundër ndryshimit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, aktgjykime dënuese të ashpra, viti 2019 e 2020 nuk ka dëshmuar për të tilla raste.

Ndërkohë, raportimi në media bazuar në raportet e Policisë së Kosovës për keqpërdorime seksuale është rritur.

Image
Foto: Alban Bujari / KOHA

 

Rritja e shifrave

Në muajin nëntor të këtij viti, Policia në Ferizaj ka hapur rast për keqpërdorim seksual kundër disa personave. Një vajzë me aftësi të kufizuara mendore është abuzuar seksualisht nga shtatë persona, pra nga trafikanti dhe gjashtë burra. Ky dhe të tjera raste kanë bërë që shifrat në nivel vendi këtë vit të shënojnë rritje.

Por institucionet e drejtësisë nuk kanë të dhëna të sakta për abuzimet seksuale tek të miturit.

Nga disa institucione të hetuesisë, ku KOHA ka dërguar pyetje për të marrë të dhëna në lidhje me rastet e keqpërdorimeve seksuale, vetëm Prokuroria e Gjilanit ka kthyer përgjigje. Ende pa përfunduar viti, rastet e raportuara nga kjo komunë janë më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Deri në muajin nëntor, sipas të dhënave janë 16 hetime të hapura. Pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar me aktakuzë.

“Janë ngritur nëntë (9) aktakuza kundër dhjetë (10) personave”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Në një rast nuk kanë gjetur prova.

“Është hedhur një (1) kallëzim penal për një (1) person”, thuhet në këto të dhëna.

Pjesa më e madhe e personave që dyshohen ose akuzohen për dhunime e abuzime seksuale janë burra.

“Në një (1) rast është propozuar masë edukative institucionale ndaj dy (2) personave të mitur”, thuhet në të dhënat e këtij institucioni, i cili ka bërë të ditur se për disa raste të paraqitura pritet epilogu.

“Pesë (5) raste me nëntë (9) persona janë nën hetime”, thuhet në këto të dhëna.

Prej 16 viktimave seksuale në Gjilan, pjesa më e madhe janë vajza të mitura.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, që nga 1 janari – 2 dhjetor 2020, ka trajtuar gjithsej gjashtëmbëdhjetë (16) raste, me njëzet e dy (22) persona, sa u përket keqpërdorimeve seksuale, përfshirë veprat penale ‘Ngacmimi seksual’, ‘Dhunimi’, ‘Sulmi seksual’ dhe ’Degradimi i integritetit seksual’. Tek këto raste gjashtë (6) viktima janë femra (madhore), ndërsa dhjetë (10) viktima janë të mitura”, thuhet në këto të dhëna.

Shifrat e prezantuara nga Prokuroria e Gjilanit argumentojnë rritjen e rasteve krahasuar me një vit më parë kur janë ngritur 11 aktakuza për vepra penale që lidhen me keqpërdorim seksual ndaj 11 personave. Në tri nga këto raste hetimet bëhet e ditur se janë mbyllur.

“Në dy (2) raste janë pushuar hetimet për dy (2) persona, dhe është hedhur një (1) kallëzim penal për dy (2) persona”, thuhet në këto të dhëna të kësaj prokurorie.

Por ndryshe nga viti 2019, kur pjesa dërrmuese e të abuzuarve ishin gra, këtë vit prijnë vajzat e mitura.

“Gjatë vitit 2019 janë trajtuar gjithsej katërmbëdhjetë (14) raste, me pesëmbëdhjetë (15) persona, sa i përket veprave penale të kësaj natyre. Në këto raste tetë (8) viktima janë femra (madhore), një (1) mashkull dhe katër (4) viktima të mitura”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore.

Të dhëna pak me të mangëta ka dhënë Policia e Kosovës.

Ky institucion ka ofruar një tabelë më të dhënat për rastet që janë dujke u trajtuar, ku viktima të abuzimeve seksuale dyshohet së janë të miturit. Në vitin 2018, sipas këtyre të dhënave, 63 fëmijë janë abuzuar seksualisht.

Por më shumë raste, se në Polici, dalin në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku fëmijëve u kryhen ekspertizat e nevojshme pas abuzimeve seksuale nëpër të cilat ata kalojnë.

Organizata që merren me trajtimin e rasteve të tilla kanë qenë vazhdimisht kritike për atë së si trajtohen kryerësit për veprat penale që lidhen me keqpërdorime seksuale. Ngacmimi seksual nuk ka qenë fare vepër penale në vete, deri vitin e kaluar kur është futur në Kodin e Ri Penal. Katër për qind e personave që kanë përjetuar ngacmim seksual kishin denoncuar rastet, por se institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur t’i adresojnë ato.

Bergita Curri, specialiste në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka thënë vitin e kaluar për Radion Evropa e Lirë se në këtë institut bëhen ekzaminimet e rasteve të dyshuara si krime apo dhunë seksuale, ku përfshihen edhe rastet me të rinjtë dhe të miturit.

“Rreth 90 për qind e viktimave të dhunës seksuale janë të gjinisë femërore. Mesatarisht nga viti në vit janë rreth 100 viktima të dhunës seksuale që ekzaminohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, që u përkasin moshave 11 deri në 16 vjeç”, ka thënë Curri.

Për numrin kaq të lartë të rasteve të raportuara të dhunimeve seksuale, ajo ka thënë se nuk është vetëm shqetësues, por edhe tronditës. Ajo ka deklaruar gjithashtu se është shqetësues fakti që institucionet bëjnë fare pak, pavarësisht faktit se viktima të dhunës seksuale janë persona të moshës së re.

“Trauma që e shkakton dhuna seksuale te një individ është shumë e madhe. Ka persona të moshave madhore dhe që asnjëherë nuk e tejkalojnë si ngjarje e lëre më nëse kjo ndodh në një moshë kaq të ndjeshme dhe institucionet nuk merren me to”, ka thënë Curri.

Të dhëna shqetësuese ishin prezantuar edhe te rastet e pedofilisë. Gjatë dy vjetëve të kaluar, në Kosovë janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë, që njihen edhe si raste të pedofilisë. Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2017 në Polici janë paraqitur si raste të pedofilisë gjithsej 62 raste, kurse në vitin 2018 janë paraqitur 61 raste të tilla.

Vetëm brenda dy vjetëve të fundit, në Kosovë mbi 100 të mitur nën moshën 16-vjeçare u keqpërdorën seksualisht. Ligji, edhe pse i qartë, në nene nuk e ka të nënvizuar si vepër të veçantë pedofilinë.

Marrëdhënia seksuale me personat nën moshën 16-vjeçare është vepër e dënueshme sipas Kodit Penal, por këtu nuk përmendet taksativisht termi pedofil.

Në vendet e zhvilluara të Evropës, abuzimi seksual i fëmijëve është ndërlidhur me situatën pandemike.

Eurokomisarja për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, për gazetën gjermane "Welt" ka thënë se planifikohet “një strategji e gjerë për një luftë efektive kundër abuzimit e shfrytëzimit seksual të fëmijëve”. Sipas Johannson-it, planet parashikojnë një sërë iniciativash dhe masash ligjore. Këto masa u përgjigjen kështu kërkesave nga Parlamenti Evropian dhe nga shtetet anëtare për më shumë ndjekje penale dhe parandalim.

Përveç kësaj, parashikohet edhe një qendër e BE-së për mbrojtjen më të mirë të fëmijëve, e cila do të mbështeste shtetet anëtare në hetimin, parandalimin, luftimin e abuzimit seksual me fëmijët, si përmes bashkëpunimit, edhe shkëmbimit të informacionit.

“Që nga koha e krizës së shkaktuar nga virusi CORONA është rritur kërkesa në internet për materiale që përmbajnë pamje të abuzimit seksual me fëmijë, në disa vende anëtare madje me 30%”, është shprehur Johansson.