Fundi i korrikut e fillimi i gushtit ka gjetur shumë komuna duke u ballafaquar me vatra zjarresh.
Qindra hektarë pyje e fusha janë djegur ndërmjet këtyre ditëve.
Ndër më të prekurat kanë qenë: Komuna e Malishevës, Lipjanit, Vitisë, Suharekës e ajo e Pejës.
Ajo e Suharekës, sipas kryetarit të saj, në periudhën e fundit, për çdo ditë po ballafaqohet me zjarre, megjithëse arrijnë ta mbajnë situatën nën kontroll.
‘’Që 4-5 ditë kemi pasur shumë zjarre të mëdha , sot kemi pasur dy e çdo ditë kemi nga dy a tri por për fat të mirë kemi një ekip shumë të mirë zjarrfikësish dhe po arrijmë shumë shpejtë t’i lokalizojmë falë edhe informimit të shpejtë të qytetarëve. Javën e kaluar kemi pasur përmasa më të mëdha të zjarreve, edhe këtë javë kemi mirëpo jo të shkallës së njëjtë. Jemi vazhdimisht në gjendje kujdestarie dhe gatishmërie”, ka thënë kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.
Artan Paçarizi, zëdhënës i Komunës së Malishevës ka thënë se zjarret në Malishevë janë nën kontroll.
‘’Gjendja aktuale e zjarreve në Komunën e Malishevës është nën kontroll. Ka zjarre të herëpashershme, por janë zjarre kryesisht të vogla. Në ditët e para të muajit gusht kemi pasur dy ose tri ditë më shumë telashe me zjarret, por megjithatë, të gjitha janë shuar dhe tani gjendja është nën kontroll’’, ka thënë Artan Paçarizi, zëdhënës i Komunës së Malishevës.
Edhe Nazmi Gashi, drejtor për Emergjenca në Komunën e Lipjanit, ka thënë se zjarret në këtë komunë janë lokalizuar.
‘’Pas 6 ose 7 ditë aktivitet të vazhdueshëm, tani zjarret i kemi të lokalizuara të gjitha. Megjithatë, zjarret kanë kaluar, por rreziku është ende permanent duke pasur parasysh potencialet e zjarrit që ekzistojnë gjithandej në Kosovë sidomos në territorin e Komunës së Lipjanit. Thatësia e madhe, temperaturat e larta gjithashtu edhe pakujdesia e qytetarëve të cilët ndoshta me vetëdije ose pa vetëdije po shkaktojnë një shkëndijë zjarri, e cila pastaj po sjell pasoja të mëdha dhe po kanoset edhe jeta të njerëzve kështu që ne po mundohemi të jemi në gatishmëri me krejt potencialin tonë”, ka thënë Nazmi Gashi, drejtor për Emergjenca në Komunën e Lipjanit.
Në situatë të ngjashme po kalon edhe Komuna e Vitisë.
Dëmet kryesore janë shkaktuar në prona private, ndërsa kryesisht djegia më e madhe i ka prekur pjesët fushore të këtyre komunave.
‘’Këtë 10 ditëshin e muajit gusht i kemi pasur më se 105 zjarre në tërësi. 23 zjarre i kemi pasur nëpër male ndërsa të tjerat kanë qenë nëpër territore fushore. Kemi pasur shumë intervenime gjatë këtyre 10 ditëve, sot e kemi gjendjen më stabile për shkak se kanë arritë me lokalizu zjarrin i cili ka përfshi një pjesë bukur të madhe të pyllit në pjesën Novosellë-Ramjan, e sot e kemi situatën më të qetë duke përjashtuar tek tuk ndonjë zjarr fushor”, ka thënë Hasan Aliu, nënkryetar i Vitisë.
Vatra e zjarreve në Komunën e Vitisë, sipas nënkryetarit Aliu, mund të ketë ardhur si pasojë e faktorit njeri, derisa ka thënë se autoritetet janë duke kryer hetimet për këtë pjesë.
‘’Shumicën e rasteve sipas inspektorit të zjarreve i cili punon në kuadër të zjarrfikësve në shumicën e rasteve sipas konstatimit të tij 90 për qind e rasteve të zjarreve në komunën tonë janë shkaktuar nga faktori njeri. Ne i kemi marrë të gjitha masat, ende nuk e kam raportin e plotë nga inspektori megjithatë personat që janë përgjegjës do të vihen para drejtësisë”, ka thënë ai.
Përveç Kosovës, edhe shtetet e rajonit, nuk u kanë shpëtuar zjarreve shkatërruese.
Rajone të tëra në Shqipëri janë prekur rëndë, e së voni si pasojë e erës së fortë zjarri u përhap nga Mali i Rrunës në Kukës deri në hapësirën mbi tunelin e Kalimashit, e cila u shua vetëm gjatë së martës nga autoritetet shqiptare me ndihmën edhe nga ushtria e Kosovës.
Zjarret janë përhapur edhe në pjesë të tjera të Ballkanit si në Maqedoni të Veriut dhe Greqi.
Disa pjesë të Greqisë janë vënë në ‘’zonë të kuqe’’ derisa janë evakuuar mbi 2000 banorë nga ishulli Evia, ku zjarret kanë marrë jetën e dy personave, ndërkohë me situata të ngjashme janë përballur edhe në Itali, e disa shtetet të Evropës.
Përveç dëmeve materiale, zjarret në Turqi kanë lënë të vdekur edhe 8 persona.
E për gjithë këtë katrahurë të shkaktuar nga zjarret, faji kryesor hidhet mbi efektin e njeriut në planet.
Sipas raportit të fundit që vjen nga OKB-ja për ndryshimet klimatike, ky është vetëm fillimi i atij që ekspertët e kanë quajtur ‘’kodi i kuq’’ për njerëzimin.
Zjarre të mëdha, uragane të rrëmbyeshme e fenomene të tjera natyrore vetëm sa do të shtojnë intensitetin në periudhën në vazhdim, krejt kjo si pasojë e ngrohjes globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, si ndotësi kryesor i ambientit, kryesisht përmes djegies së gazrave serrë e qymyrit.