Kërkesa e deputetëve evropianë për heqjen e vizave për kosovarët konsiderohet se nuk do të ndikojë në përshpejtimin e këtij procesi.
Megjithatë e rëndësishme për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, vlerësohet kthimi i kësaj çështjeje në diskutimet brenda BE-së.
“Impakti do të jetë në aspektin më shumë diplomatik dhe politik, pra njëfar zgjimi apo ngritja e çështjes në nivele shumë të larta. Kjo është me rëndësi sepse ky raport i shkon të gjitha vendeve anëtare dhe të gjitha qeverive të Bashkimit Evropian dhe ky është një plus, një argument shtesë edhe për vendet skeptike”, tha Arifi.
Të martën Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian miratoi një raport për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
Përmes tij, BE-së iu bë thirrje të shpejtojë procesin integrues dhe pa vonesa t’i heqë vizat për kosovarët.
“Eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Në këtë kontekst, pasi izolimi nxit aktivitetet kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që pa vonesa të mëtejme të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në thirrjen e eurodeputetëve.
Këtë zhvillim në Bruksel, sipas Arifit, Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë për të punuar me vendet skeptike ndaj liberalizimit.
DEK: DRITËRO ARIFI, Profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare
“Është bërë prap një momentum i mirë për ne që edhe me Parlamentin Evropian dhe me Komitetin për Politikë të Jashtme, por edhe vendet që janë pro liberalizimit të vizave për Kosovën që të lobojnë shumë më shumë te vendet që kanë ende mëdyshje lidhur me liberalizimin e vizave”, tha Arifi.
Franca dhe Holanda janë ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
Ndonëse vlerësohet se Kosova ka përmbushur thuajse të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, vendimi ka ngecur prej vitesh në Bruksel.
Tre vjet më parë Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi përfundimtar ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor qytetarët e së cilës nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.