Arbëri

Qeverisë i kërkohet të përfshijë në shtesa personat deri në 18 vjet

Ekzekutivi e ka përmendur vitin 2023 si periudhë kur të gjithë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare do të marrin shtesa, por nga shoqëria civile dhe nga opozita kërkojnë që shtesa të marrin personat deri në 18 vjet dhe me këtë masë të fillohet menjëherë

Qytetarë, opozitë e shoqëri civile janë duke kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) që të përshpejtojë implementimin e planit për shtesat e fëmijëve dhe të rrisë kufirin e moshës së përfituesve.

Ky plan aktualisht përfshin grupmoshat e fëmijëve që kanë lindur pas vitit 2015. Bazuar në këtë skemë sociale, fëmijët prej lindjes e deri në moshën 2-vjeçare marrin nga 20 euro çdo muaj, ndërkaq pas moshës 2-vjeçare secili fëmijë përfiton 10 euro prej shtetit.

Por Ministria e Financave në shtator të vitit 2021 ka treguar se implementimi i kësaj politike sociale do të jetë graduale. Kështu, plani si tërësi është paraparë të finalizohet në vitin 2023, ku fëmijët prej lindjes e deri në moshën 16-vjeçare do të marrin shtesa sipas dikasterit të financave.

E krejt kjo, sipas Besnik Tahirit, shef i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është lojë e Qeverisë me skema sociale.

Ai të premten ka kërkuar që sa më parë të zbatohet plani si tërësi për shtesat e fëmijëve si shkak i krizës ekonomike në vend.

“Loja me skemat sociale dhe mosveprimi i shpejtë në raport me nevojën që është krijuar në Kosovë, në veçanti me një situatë të rëndë me varfërinë në vend, tregon që Qeveria vetëm flet, jep afate në vitin 2023 dhe nuk vepron”, ka thënë Tahiri. “Kërkesa e AAK-së është shumë e thjeshtë: gjendja sociale dhe varfëria në Kosovë janë duke u bërë të skajshme, duhet të veprohet menjëherë”.

Ideja që sa më parë fëmijët e lindur para vitit 2015 të përfshihen në skemën sociale është mbështetur edhe nga Rrjeti i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF).

Bukureza Surdulli, monitoruese dhe hulumtuese në KOMF, ka thënë se i mbështesin kërkesat që në shtesat e fëmijëve sa më shpejt të përfshihen edhe fëmijët e lindur para vitit 2015.

“KOMF-i patjetër që i mbështet kërkesat e prindërve dhe të familjeve që fëmijët të mbështeten, e kjo të fillojë të aplikohet menjëherë e të mos pritet deri në vitin 2023, për shkak të rritjes së çmimeve, inflacionit dhe ne e dimë që tashmë është një krizë që po ndodh në gjithë vendin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ky rrjet i ka propozuar Qeverisë që fëmijët të marrin para nga shteti deri kur të arrijnë moshën 18-vjeçare.

Kërkesën e KOMF-it e ka mbështetur edhe Besnik Tahiri i AAK-së.

“Fëmijë konsiderohet ai që ende nuk i ka mbushur 18 vjet, dhe në këtë aspekt nuk e kuptoj se si duhet të veprohet ndryshe”, ka deklaruar Tahiri.

Edhe qytetarët kërkojnë që Qeveria të shpejtohet në këtë drejtim. Genc Broshi, qytetar i Prishtinës, ka thënë të dielën se është e domosdoshme të përfshihen të gjithë fëmijët në skemë sociale.

“Duke parë krizën do të ishte mirë që të mos bëhen dallime dhe diskriminime ndaj kategorisë, fëmijët e së cilës kanë lindur një vit ose dy më herët”, ka thënë ai.

Edhe qytetari tjetër, Islam Veliaj, ka thënë se shtesat janë shumë të rëndësishme duke pasur për bazë standardin jetësor.

Ministria e Financave nuk është përgjigjur në pyetjen e KOHËS në lidhje me përfshirjen e fëmijëve të lindur para vitit 2015 në këtë politikë sociale.

Kjo politike e Qeverisë është brenda masës 3.5 nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Ekzekutivi i drejtuar nga Albin Kurti pos shtesave për fëmijë kishte vendosur që t’u ofrojë mbështetje financiare edhe lehonave që kanë lindur fëmijë pas datës 1 gusht 2021.

Lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit do të mbështeten me 170 euro në muaj për gjashtë muaj rresht.

Ndërkaq lehonat që kanë të punësuara në ndonjërin prej muajve, në 12 muajt e fundit para lindjes, do të mbështeten me 170 euro në muaj për tre muaj radhazi.

Kjo si pjesë e politikave qeveritare për mirëqenien e familjes.