Arbëri

Qeverisë i kërkohet shkallëzimi i pensioneve kontributdhënëse

Pensionistet

Për qëllim të fitimit të pensionit kontributdhënës, tani qytetarëve u njihen edhe vitet gjatë të cilave Serbia dhunshëm i ka larguar nga puna. Por, sërish kërkohet që ta plotësojnë kushtin e së paku 15 vjet në marrëdhënie pune, në mënyrë që të përfitojnë shumën prej rreth 200 eurosh. Pensionistët e quajnë padrejtësi këtë dhe thonë se Qeveria duhet ta ndryshojë ligjin

Pensionistët kanë kërkuar të ardhura mujore të përshkallëzuara, pasi kanë theksuar se ndryshimet ligjore nuk i kanë eliminuar padrejtësitë.

Për qëllim të fitimit të pensionit kontributdhënës, tani qytetarëve u njihen edhe vitet gjatë të cilave Serbia dhunshëm i ka larguar nga puna. Por, sërish kërkohet që ta plotësojnë kushtin e së paku 15 vjet në marrëdhënie pune, në mënyrë që të përfitojnë shumën prej rreth 200 eurosh.

Pensionistët e quajnë padrejtësi këtë.

“Unë e kam një rast personalisht. Gruaja ime për dhjetë muaj e ka humbur të drejtën e pensionit si kontributdhënëse. Ata e kanë sjellë ligjin, ata njerëz që kanë qenë përpara në qeveri deri tash. Nuk është me vend dhe nuk është në rregull, sepse të gjithë kanë punuar dhe të gjithë kanë dhënë kontribut”, ka deklaruar pensionisti Shefki Gashi.

Edhe në Lidhjen e Pensionistëve kanë theksuar se kriteret e vendosura prej vitesh cenojnë të drejtat e shumë pensionistëve, të cilët tani marrin vetëm gjysmën e pensionit kontributpagues.

“Ai ligj ka ardhur, i cili thotë se do t’u njihet kontributi të gjithë personave që e kanë lëshuar punën nga viti 1990 deri në vitin 1999, mirëpo prapë këtu ka disa lëshime, sepse në vitin 1999 do të jenë mangu një apo 2 muaj të paplotësuar...Ka persona, siç e ceka, se për një apo dy muaj, edhe pasi që t’i jepet mundësia për t’ia shtuar nëntë vjet nuk i plotëson dhe nuk ka pension për kontribut nëse nuk i ka plotësuar 15 vjet”, ka thënë Sherif Kastrati, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës.

Kastrati ka kritikuar Qeverinë për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore për pensionet.

“Është ligji në nenet 13 dhe 14, i cili thotë se çdo qeveri në fundvit duhet ta shikojë inflacionin dhe koston e jetës. Inflacioni ka qenë deri më tash mbi 30 për qind, kurse kostoja e jetës dihet se është shumëfish e madhe. Shteti në fundvit duhet ta bëjë llogarinë dhe duhet të marrë qëndrim lidhur me inflacionin sa duhet të rriten pensionet. Deri më tash nuk ka marrë asnjë qeveri, që është obligim ligjor”, ka deklaruar Kastrati.

Në Qeveri nuk kanë treguar nëse do t’i marrin në konsideratë kërkesat. Ministria e Financave prej ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me shqetësimet e ngritura nga pensionistët.