Arbëri

Qeveria zotohet të mos e lejojë krijimin e asociacionit njëetnik

Ministria e Pushtetit Lokal është zotuar se nuk do ta lejojë krijimin e entiteteve njëetnike. Ndalimin e mundësisë së formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kjo ministri synon ta bëjë nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin për vetëqeverisje lokale. Ndërkaq, aspekte të tjera që parashihet të adresohen gjatë këtyre ndryshimeve janë bërë sebep për akuza mes Ministrisë dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka në plan që brenda vitit të bëjë ndryshime ligjore në funksion të ndalimit të mundësisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Zotimet e dhëna në këtë institucion janë se nuk do të tolerojnë ngritjen e mekanizmave njëetnikë.

“Për neve, Asociacioni i Komunave Serbe, ose asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, është entitet i vdekur”, ka thënë Fidan Kalaja, këshilltar i ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. “Ne nuk angazhohemi që të kemi asociacione njëetnike, por vetëm entitete të cilat janë në përputhje me Kushtetutën dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.”

Nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ministria synon t’i adresojë edhe disa çështje që prekin komunat.

“Dëshirojmë që dy aspekte t’i rregullojmë me këtë ligj: pra, që të bllokojmë në çfarëdo mënyre krijimin e entiteteve njëetnike dhe e dyta të rrisim efikasitetin e shërbimeve publike dhe reformën e pushtetit lokal me këtë ligj”, ka thënë Kalaja.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar nëpërmjet një letre, duke e konsideruar këtë hap si të ngutshëm dhe të pakonsultuar paraprakisht.

Pas kësaj, këshilltari Fidan Kalaja ka gjuajtur një akuzë në adresë të Asociacionit.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës është kah e luan një lojë shumë të rrezikshme dhe pa vetëdije tenton të marrë kompetenca ekzekutive të Ministrisë së Pushtetit Lokal”, ka thënë ai. “Kjo është lojë e rrezikshme, sepse ne e kemi luftuar një asociacion me kompetenca ekzekutive dhe jemi duke e luftuar një asociacion të tillë, ndërsa Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është kah i ndihmon procesit”.

Në Asociacion i janë kundërpërgjigjur akuzës.

“Kjo deklaratë është qesharake, e pamatur, joserioze dhe tendencioze ndaj Asociacionit të Komunave të Kosovës. Shpresoj që kjo deklaratë e këtij zyrtari të mos bëhet publike, sepse shumë institucione edhe kombëtare e edhe ndërkombëtare do të qeshin me të”, ka thënë Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës. “Në asnjë rast asociacioni nuk ka kërkuar ndonjë kërkesë ekzekutive, mirëpo ai e ushtron detyrën dhe obligimet e tij që dalin nga statuti dhe ligjet që e rregullojnë të drejtën në asiociim. Domethënë, ne lobojmë në emër të komunave dhe çdo deklaratë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, çdo kërkesë e cila i drejtohet nivelit qendror, bëhet në koordinim të plotë me kryetarët e komunave, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike apo etnike”.

Ibrahimi ka insistuar se kurrë nuk ka pasur kërkesë për kompetenca ekzekutive dhe ka arsyetuar reagimin pas përfshirjes në Ligjin për vetëqeverisje lokale, por edhe atij për zgjedhje lokale, në Programin legjislativ të vitit 2021.

“Kur kemi kërkuar si Asociacion i Komunave të Kosovës shpjegim se nga rrodhi kjo ide që gjatë këtij viti zgjedhor të amandamentohen këto ligje, kjo ka qenë vetëm kërkesë për sqarim, sepse një informatë të tillë ne e kemi marrë nga mediat”, ka thënë ai.

Asociacioni ishte edhe kundër ndryshimit në Ligjin për zgjedhjet lokale kur konstatoi që kjo nuk duhet të bëhet tani shkaku që zgjedhjet komunale janë në vjeshtë. Në Ministri thanë se ndryshimet nuk synojnë t’i bëjnë para këtyre zgjedhjeve.