Qeveria i ka vënë synim vetes që ta reduktojë numrin e pozitave me ushtrues detyre, problematikë kjo të cilën e ka konstatuar edhe Komisioni Evropian. Kjo konfirmohet në draftprogramin Kombëtar për Integrim Evropian 2025-2029, ku Administrata publike përbën njërën prej tri shtyllave kryesore të reformave për integrim në BE
Problematika e konstatuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën që lidhet me numrin e lartë të pozitave me ushtrues detyre në institucionet publike, synohet të adresohet në kuadër të Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2025-2029, për të cilin konsultimet publike janë zhvilluar në shkurt.
Qeveria i ka vënë synim vetes ta reduktojë numrin e pozitave të zbrazëta dhe atyre me ushtrues detyre, në kuadër të kapitullit të reformës së Administratës Publike, që është një ndër tri shtyllat kryesore të reformave për integrim në BE.
“Bazuar në reformat e dakorduara me BE-në në kuadër të strukturave të përbashkëta të stabilizim-asociimit, gjetjet e Raportit të KE-së për Kosovën-2024 dhe mekanizmat e tjerë për aderim në BE, objektivat prioritare afatmesme në këtë kapitull janë si në vijim: Forcimi i kapaciteteve administrative përmes plotësimit të rregullt të pozitave të paplotësuara të punës në administratën publike dhe reduktimit të numrit të pozitave të zbrazëta dhe atyre me ushtrues detyre, si dhe përmes përmirësimit të menaxhimit dhe monitorimit të burimeve njerëzore bazuar në fakte”, shkruan në dokument.
Aty janë dhënë zotime që qeveria do të sigurohet që 95 për qind e vendeve të punës të korrespondojnë me klasifikimin e ri të vendeve të punës në shërbimin civil dhe 95 për qind e këtyre pozicioneve të sistemohen plotësisht në përputhje me organizimin e ri të brendshëm të ministrive.
“Të sigurohet që 80 për qind e vendeve të lira të hapura të planifikuara në planin vjetor të rekrutimit për institucionet e administratës shtetërore të plotësohen nëpërmjet organizimit të rregullt të rekrutimit të centralizuar dhe reduktimit të pozitave me ushtrues detyre në jo më pak se 20 për qind të të gjitha pozitave të tilla; Të sigurohet që të gjitha ministritë dhe agjencitë vartëse të funksionojnë në mënyrë efikase, bazuar në metodologjinë e re të menaxhimit të performancës, me qëllim të përmirësimit të rezultateve institucionale dhe rritjes së efikasitetit operativ në përputhje me objektivat strategjike dhe standardet e përcaktuara”, shkruan në draft-dokument.
Mbajtja e shumë pozitave të larta me ushtrues detyre u përmend si problematike në Raportin e Komisionit Evropian, i publikuar në tetor 2024. Komisioni ka kërkuar hartimin e një pani vjetor realist sa i përket rekrutimeve në shërbimin civil, tek ka përmendur dështimet në plotësimin e pozitave të larta drejtuese.
Përfaqësues organizatash të shoqërisë civile në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin se tashmë është bërë praktikë që një numër pozitash të mbahen me ushtrues detyre edhe pse ligji nuk e lejon. Një numër i madh i pozitave drejtuese përfshirë Sekretar të Përgjithshëm, Drejtor Departamenti dhe Udhëheqës i Divizionit vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre edhe pse afati ligjor ka skaduar. Shprehur në përqindje, sipas shifrave që pati vënë në dispozicion Grupi për Studime Juridike dhe Politike në fund të vitit të kaluar, për sekretarë është rreth 37 për qind e pozitave me Ushtrues Detyre, ndërsa për agjenci ekzekutive/vartëse është rreth 76 për qind.
Ligji për Zyrtarët Publikë ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2023 dhe rregullon çështjen e ushtruesve të detyrës. Sipas këtij ligji, në çdo pozitë që mbetet e lirë mund të caktohet një ushtrues detyre për një periudhë prej 6 muajsh. Nëse pozita ende nuk plotësohet, ky afat mund të zgjatet edhe për 6 muaj të tjerë, duke arritur në një total prej një viti.
Vetëm Zyra e Kryeministrit për më shumë se dy vjet e pati mbajtur me ushtrues detyre, pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, ani se ligj e kufizon në vetëm një vit.
Programi Kombëtar për Integrim Evropian është gjithëpërfshirës për kah fushëveprimi dhe parasheh reforma afatshkurtra për vitin 2025 dhe objektiva prioritare afatmesme për përmbushjen e detyrimeve të dala nga MSA-ja dhe nga mekanizma të tjerë për integrim në BE, përmes përfarimit të legjislacionit kombëtar me acquis-në e BE-së dhe zbatimit të legjislacionit të përafruar. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, ai është i ndarë në tri blloqe: Kriteret politike, Kriteret ekonomike dhe Standardet evropiane – përafrimi i legjislacionit të Kosovës me tërësinë e ligjeve të BE-së.