Arbëri

Qeveria zotohet ta finalizojë rrugën Prishtinë-Mitrovicë brenda një viti

Është firmosur kontrata e re për vazhdimin e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë. Për këtë projekt, që nuk u realizua për 15 vjet, Ministria e Infrastrukturës është zotuar se do të përfundojë për një vit

Një vit pas shkëputjes së kontratës për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar të enjten një të re për vazhdimin e punimeve në projektin që nisi qysh më 2009-n.

Ministri Liburn Aliu në një konferencë për media tha se ky është ndër projektet e përcjella me më së shumti telashe.

“Nënshkruam sot kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që e lidh Prishtinën me Mitrovicën, projekt ky i cili ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë, me probleme të shumta. Mbase, një ndër projektet më të stërzgjatura në historinë e pasluftës së Kosovës, por që jemi duke shkuar drejt përfundimit të tij, meqë sot arritëm të nënshkruajmë kontratën, proces ky i cili ka filluar më 2 tetor, kur është publikuar edhe njoftimi për dorëzimin e ofertave”, ka thënë Aliu.

Tenderi është fituar nga konsorciumi që përbëhet nga kompanitë “Eskavatori L.L.C” dhe “Hidrostroi” nga Sofja.

Ministri Aliu ka thënë se kontrata përfshin segmentin nga fshati Lumëmadh deri te “Rrethi i Gojbulës” në Vushtrri, me gjatësi 9.78 kilometra.

Sipas tij, në zvarritjen e projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës kanë ndikuar problemet e shkaktuara nga qeveritë e kaluara.

E zëvendësministri Hysen Durmishi tha se afati kohor për përfundimin e projektit është një vit.

“Jemi kujdesur që në kontratë, plani dinamik për zhvillimin e punimeve të jetë i shkurtër, pra që nga sot janë 12 muaj ditë kalendarike, jo ditë pune. Pra, sot një vit kontraktori e ka për obligim që ta dorëzojë punishten të përfunduar, komplet këtë projekt. Dhe do të kujdesemi që në fazën e parë të punimeve të punojmë kryesisht në segmentin kryesor tek rruga deri në Vushtrri dhe në pjesën e dytë të vitit të punojmë në bypasin që është në Vushtrri, që është më pak i ngarkuar me komunikacion, që në kohën kur vijnë mërgimtarët pjesa kryesore e rrugës të jetë e përfunduar, në korrik-gusht, dhe mandej të vazhdojmë me segmentin tjetër”, ka thënë Durmishi.

Më 8 shkurt të vitit të kaluar Ministria anuloi kontratën me operatorin ekonomik “Pevlaku & Patishta” për ndërtimin e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë. E ka bërë këtë me arsyetimin e mospërmbushjes së obligimeve të përcaktuara, për të cilat ishin dakorduar më 23 nëntor 2021.

Kompania kishte paralajmëruar padi në arbitrazhin ndërkombëtar, për çka Durmishi tha se deri më tani nuk janë të informuar nëse ka ndërmarrë një hap të tillë.

“Nuk kemi ndonjë informatë nëse kompania që ka pasur kontratën në të kaluarën, rastin e ka dërguar në Arbitrzh. Nuk besoj që e ka dërguar, por edhe nëse e dërgon ne kemi siguri maksimale nga procesi i auditimit që i është bërë komplet këtij procesi që edhe nëse shkon nuk ka shans të fitojë. Nga të gjitha gjetjet nga auditimi, konstatimi është se ne nuk rrezikojmë fare me Arbitrazh”, ka thënë Durmishi.

E ministri Aliu ka folur edhe për problemet e ngjashme edhe në projekte të tjera rrugore.

“Një problem shpronësor të cilin e kemi pasur për në Podujevë, në mbledhjen e radhës të Qeverisë do ta zgjedhim. Nuk pres që do të ketë vonesa tek projekti i Podujevës. Tek çështja e Pejës, për shembull, që aktualisht për fazën e parë nga Kjeva deri në Dollc është në OSHP dhe presin përgjigje nga OSHP-ja. Përndryshe, procedurat e prokurimit nga ana jonë janë kryer. Kur të vjen përgjigjja uroj që të nënshkruhet kontrata. Edhe te projekti i Gjilanit, problemet e shpronësimit që i kemi pasur së fundmi tash edhe ato jemi duke i çuar drejt zgjidhjes”, ka thënë Aliu.

Pos rrugës Prishtinë-Mitrovicë, që tash e 15 vjet nuk ka përfunduar, edhe ajo Prishtinë-Podujevë ka një histori zvarritjeje prej tetë vjetësh. Për këtë rrugë Qeveria është zotuar se do të përfundojë në fund të këtij viti.