Arbëri

Qeveria vendos çmime tavan për naftë e benzinë

Ministria e Tregtisë ka kthyer masën e kufizimit të fitimit për naftëtarët, pas evidentimit se rritja e çmimeve nga ana e tyre nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror. Të premten me anë të një vendimi ajo ka caktuar marzhën e fitimit prej 2 centësh për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër në ato me pakicë

Pas shtrenjtimit të karburanteve, Ministria e Tregtisë (MINT) ka vendosur kufizim të fitimit për naftëtarët. Me një vendim, të premten ajo ka caktuar marzhën e fitimit prej 2 centësh për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër në ato me pakicë.

Sipas MINT-it, vendimi është marrë pas monitorimit të rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës. Kjo ministri ka theksuar se, pas këtyre veprimeve, është evidentuar “një rritje e çmimeve, e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”.

Vendimi do të jetë në fuqi për një periudhë 30-ditore.

“Kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë, çmimi i një litri naftë gjatë ditës së premte ka qenë rreth 1.43 euro, ndërsa i një litri benzinë 1.47 euro.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga Shoqata e Naftëtarëve lidhur me vendimin e MINT-it, por përfaqësuesit e saj nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

E ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se vendimi është marrë për mbrojtje të konsumatorit dhe për konkurrencë të shëndoshë.

“Pas inspektimeve të rregullta dhe evidencës ditore nga 10 ditët e fundit, që konstaton rritje të paarsyeshme të çmimeve të produkteve të naftës në treg, pikërisht në këto ditë kur po mirëpresim bashkatdhetarët tanë, sot mora vendim për caktimin e çmimit dhe masave të tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, sipas vlerësimeve të tregut dhe ligjit përkatës me aktet nënligjore në fuqi”, ka shkruar Hajdari në një postim në Facebook.

Edhe në mars të vitit të kaluar, Qeveria pati caktuar marzhë tregtare për naftëtarët pas lëvizjeve të çmimeve që ndodhën si pasojë e luftës në Ukrainë. Përveç marzhës, ajo caktonte çmimet për litër të derivateve çdo 24 orë. Por, me të skaduar vendimi, pas një periudhe 60-ditore, naftëtarët rritën çmimet, duke e detyruar Ministrinë që kohë pas kohe të marrë masa të tilla.