Arbëri

Qeveria thotë se s’ka keqpërdorim në furnizimin me arkivole, por ndihmohen familjet e të pagjeturve

Kontratë tri-vjeçare prej 123 mijë e 700 eurosh për furnizim me arkivole, ka nënshkruar Zyra e Kryeministrit të Kosovës me kompaninë “Loti”.

Kjo kontratë është nënshkruar, pas kërkesës që ia ka bërë Qeverisë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Kushtrim Gara nga ky komision, ka thënë se në këtë kontratë, nuk është paraparë vetëm furnizimi me arkivole, por edhe shërbime të tjera.

Ka thënë se kjo praktikë ekziston tash e 10 vjet.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit thekson se nuk do të ketë asnjë mundësi të keqpërdorimit të këtyre mjeteve financiare.

Edhe pse vlera e kontratës është rreth 124 mijë euro, Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit, thotë se pagesat nuk bëhen pa u kryer shërbimet.

Pronari i kompanisë “Loti”, Bashkim Kameri, ka thënë përmes telefonit se për çdo shërbim që ofrojnë, u bëhet më pas edhe pagesa.

Për muajin prill të këtij viti për shërbime të ndryshme funerale, Zyra e Kryeministrit i ka paguar kësaj kompanie 799 euro.

Në Kosovë, vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe afër 1 mijë e 650 persona.