Qeveria e Kosovës ka thënë se do t’i dorëzojë me kohë komentet me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes Bazë dhe asaj të Ohrit.
Pas takimit të kryenegociatorëve më 2 korrik, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi pati thënë se ka qenë kërkesë e emisarit Miroslav Lajçak që deri më 18 korrik Kosova dhe Serbia t’i dërgojnë komentet për planin e sekuencimit.
Në një përgjigje për KOHËN, këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, ka thënë se Qeveria do t’i dërgojë komentet brenda afatit. Ai ka deklaruar po ashtu se Kosova në vazhdimësi ka paraqitur propozime konkrete për secilën pikë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do t'i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak. Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, ka thënë ai.
Bislimi pas takimit pati thënë se emisari Lajçak ka rezistuar që propozimet e Kosovës dhe të Serbisë për planin e zbatimit të bëhen të ditura, duke shtuar se “do të vërehej qartë se ata (Serbia) nuk e respektojnë dhe nuk e njohin marrëveshjen si të tillë”.
Kryenegociatorët ishin takuar më 2 korrik. Në agjendë kanë qenë diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për rrugën e normalizimit të raporteve. Prej të dyja palëve, nga Bashkimi Evropian kanë thënë se presin zbatimin e detyrimeve të dialogut pa vonesa e pa parakushte.
Marrëveshja e vitit të shkuar nuk është zbatuar ende.
Paraprakisht, një javë më herët, ishte paraparë takim në nivel të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por Kurti kushtëzoi takimin.
Përpos dorëzimit të përgjegjësit të sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq, dhe përgjegjësve të tjerë, kryeministri Albin Kurti kushtëzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve, dhe me tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, me të cilën Serbia deklarohet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes bazë.