Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të rishqyrtojë mënyrën e kufizimit të lëvizjes së lirë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Zëdhënësi i Ekzekutivit, Përparim Kryeziu, ka thënë se për momentin nuk e dinë ende saktë se cili do të jetë plani për menaxhimin e situatës, por Përparim Kryeziu shton se ai do të merret pasi të publikohet dhe të analizohet në tërësi aktgjykimi, raporton KOHA.
Megjithëkëtë, ashtu siç e parasheh edhe aktgjykimi i Kushtetueses se vendimi hyn në fuqi më 13 prill, Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë t’i zbatojnë masat e kufizimit të lëvizjes deri në atë datë kur edhe është në fuqi vendimi.
Por juristët thonë se Qeveria ka dy mundësi që pas 13 prillit të kufizojë lëvizjen e qytetarëve, njëra përmes Ligjit për sëmundjet ngjitëse ose shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Qeveria e ka shkelur Kushtetutën me vendimin për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe të automjeteve në orare të caktuara.
Vendimi u mor bazuar në ankesën që në këtë institucion e dorëzoi presidenti Hashim Thaçi.
Sipas aktgjykimit, vendimi i Qeverisë nuk ishte në përputhje me nenet 55, 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës sa u përket të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe privatësisë së qytetarëve.
Ndërkaq shkaku i situatës së pandemisë Kushtetuesja e ka lënë 13 prillin si datë të hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.
Kurse, bazuar në nenin 41 të Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, ndalimi i qarkullimit parashihet vetëm në rajonet e infektuara ose drejtpërsëdrejti të infektuara dhe jo në gjithë vendin.