Arbëri

Qeveria synon ta ulë importin duke vënë taksa të larta për disa produkte

Janë 36 produkte që importohen, e që kanë potencial për zëvendësim, thotë një studim i Ministrisë së Tregtisë. Disa prej tyre synohet të zëvendësohen, duke iu vënë tarifa më të larta doganore. Por në Odën Ekonomike thonë se kjo masë nuk korrespondon me realitetin dhe mundësitë që i ka Kosova

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka identifikuar 36 produkte me potencial për zëvendësim të importit.

Por, në një studim të publikuar së fundmi nga kjo ministri parashihet që zëvendësimi i 17 prej tyre të bëhet duke iu vënë tarifa më të larta doganore.

Për pesë nga këto produkte, që përfshijnë edhe preparatet ushqimore, mishin e gjedhit, ëmbëlsira me sheqer dhe produkte tekstili, importohen në sasi të konsiderueshme nga vendet me të cilat Kosova nuk ka marrëveshje preferenciale, e që janë jashtë CEFTA-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

“Qeveria duhet ta zbatojë një regjim të ri tarifor, duke vendosur tarifa më të larta se tarifat aktuale për produktet që zakonisht mbrohen nga BE-ja dhe vendet e tjera krahasuese sipas KMF-ve të tyre. Është e rëndësishme të theksohet se këto tarifa nuk duhet të zbatohen për vendet apo blloqet me të cilat Kosova ka marrëveshje tregtare”, thuhet në studimin e MINT-it.

Por sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, këto masa nuk korrespondojnë me realitetin dhe mundësitë që i ka Kosova.

“Prodhuesit tanë kanë shumë nevojë për të gjetur një treg të huaj dhe nëse ti ia vendos një masë një produkti të huaj, automatikisht edhe ai shtet do t’ia vendosë produktit tënd”, ka thënë Rafuna.

Sipas studimit të MINT-it, eksportet e produkteve shtazore përballen me disa masa që lidhen me cilësinë dhe se ato nuk eksportohen në BE, por kanë barriera të ngjashme edhe në vendet e CEFTA-s.

“Pavarësisht se nuk ka mundësi të eksportojë në këta partnerë kryesorë tregtarë, Kosova prodhon shumë produkte me origjinë shtazore për konsum të brendshëm. Megjithatë, këto produkte përballen me konkurrencë të ashpër nga jashtë”, theksohet në studim.

E, në Odën Ekonomike numëruan disa masa të cilat institucionet do të duhej t’i ndërmerrnin për t’i bërë produktet vendore më konkurruese me ato të importit.

“Ne duhet të parashohim masa të brendshme se si ta subvencionojmë produktin tonë, se si mund ta fitojnë qytetarët besimin te produkti vendor. Duhet të investohet më shumë në marketing, duhet t’i ndihmojmë prodhuesit tanë që të lirojmë lëndën e parë, gjysmëproduktin, pajisjet, pajisjet përcjellëse që prodhojnë dhe në këtë mënyrë përmes ofertës dhe kërkesës ne t’i bëjmë ballë dhe t’i ndalojmë produktet e huaja”, ka rekomanduar kryetari Rafuna.

Nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara, Kosova ka marrë obligim të mos vendosë asnjë masë mbrojtëse për prodhimet që importohen nga vendet e BE-së e edhe ato të CEFTA-s. E, produktet nga këto vende përbëjnë 80 për qind të importit.

Sipas studimit të MINT-it, i cili është përgatitur nga një konsulent i jashtëm, produktet e bulmetit dhe mishit kanë potencial për zëvendësim të importit.