Bashkimi Evropian ka shkruar një hap tutje. Me gjithë kundërshtimin nga Kosova, nga blloku evropian kanë paralajmëruar se hapjen eventuale të Urës së Ibrit do ta shtrojnë si temë diskutimi në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Një paralajmërimi të tillë i është kundërpërgjigjur Qeveria.
Bashkimi Evropian nuk është zmbrapsur nga qëndrimi i tij që hapja eventuale e urës së Ibrit duhet të diskutohet paraprakisht në Bruksel.
Të martën, ka shkuar me një hap përpara, duke paralajmëruar bisedime për këtë çështje në takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, megjithëkëtë, nuk ka treguar se kur pritet të ftohet një takim i tillë.
“Hapja e urës është çështje e dialogut edhe pse Qeveria e Kosovës po vepron në të kundërtën. BE-ja planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”, tha Massrali.
Por, nga Qeveria e Kosovës thanë se në Bruksel duhet diskutuar për tema të tjera.
Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim për KOHA-n tha se çështja e urës veçse ka qenë më parë pjesë e diskutimeve.
“Çështja e Urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër veçse ka qenë pjesë e diskutimeve të mëhershme në Bruksel. Për të ka marrëveshje ndërmjet palëve në kuadër të dialogut në vitin 2015, ka plan të zbatimit të Bashkimit Evropian për hapjen e saj nga viti 2016, dhe vlerësim nga vetë Bashkimi Evropian në vitin 2019 se punimet në urë kanë përfunduar dhe se ajo duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejme. Në dialog kemi nevojë për takime në të cilat kryeqendër e agjendës është zbatimi i Marrëveshjes Bazike, statusin e së cilës në vazhdimësi po e vë në dyshim Serbia siç bëri edhe në fund të muajit qershor kur kryeministri i Serbisë, nga Kuvendi i Serbisë thotë se Serbia nuk e ka pranuar Marrëveshjen Bazike. Në fakt, statusi i Marrëveshjes Bazike duhet të jetë shqetësimi dhe angazhimi kryesor në Bruksel. Për këtë e kanë përkushtimin tonë, si Qeveri e Republikës së Kosovës”, tha Kryeziu.
Përveç Qeverisë, kundër diskutimit me Serbinë për hapjen e urës është edhe presidentja Vjosa Osmani.
Por nga zyra e saj, nuk janë përgjigjur në pyetjet për planin që është duke u aplikuar nga Qeveria për hapjen e saj, për koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare e as për ndëshkimet e paralajmëruara.