Arbëri

Qeveria shqyrton heqjen e tarifës ndaj importeve nga SHBA-ja

Komunikimi në publik, i përcjellë me akuza mes përfaqësuesve të Presidencës dhe atyre të Qeverisë, ka nxjerrë konfirmimin se ekzekutivi ka në shqyrtim mundësinë e heqjes së tarifave për mallrat e SHBA-së. Pasi presidenti Trump vendosi masë reciproke, përpos nga presidentja Osmani, kërkesa për heqje të tarifës është shtruar edhe nga komuniteti i biznesit dhe nga opozita.

Qeveria e ka në tavolinë shqyrtimin e heqjes së tarifës prej 10 për qind për produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e ka kumtuar ministri i Financave, Hekuran Murati, në një kundërpërgjigje ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila i propozoi Qeverisë që ta marrë këtë masë të nesërmen pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa reciprociteti ndaj shteteve, përfshirë edhe Kosovën.

Në komunikimin publik për këtë çështje, mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe atyre të Presidencës u shkëmbyen edhe akuza. Por, asnjëri nga këto institucione nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS nëse është zhvilluar komunikim për veprimet në funksion të heqjes së tarifës.

Kërkesa e fundit që Qeverisë i është shtruar për heqjen e tarifës ndaj produkteve amerikane, është ajo e dy muajve më parë nga shoqata “Vatra”, që vepron në Shtetet e Bashkuara.

“Presidenti aktual që është zgjedhur nga shumica e popullit amerikan ka premtuar se tarifat do të jenë reciproke me vendet që ne na taksojnë. Duke ditur se presidenti Trump i mban premtimet, 60 ditë më përpara i kemi kërkuar edhe Qeverisë së Kosovës që t’i ulin tarifat dhe t’i mbajnë në masën 0, pasi që edhe Amerika do të vendosë tarifa reciprociteti”, ka thënë Mond Rakaj nga kjo shoqatë.

Kërkesë e ngjashme është bërë edhe në 2022-tën. Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar atëkohë që deri të arrihet një marrëveshje për tregti të lirë të hiqen të gjitha detyrimet doganore për produktet me origjinë nga SHBA-ja.

“Duke pasur parasysh faktin se Kosova është në gjendje të eksportojë 3500 lloje mallrash në SHBA pa iu nënshtruar asnjë detyrimi doganor, por e njëjta gjë nuk vlen për mallrat amerikane që eksportohen në Kosovë, të cilat janë të detyruara të paguajnë doganë, ekziston nevoja e padiskutueshme për një marrëveshje reciproke. Negociatat dhe ratifikimi i marrëveshjeve tregtare dypalëshe ndërmjet vendeve zakonisht kërkojnë kohë. Prandaj, Oda Amerikane rekomandon që..., qeveria e Kosovës duhet të zbatojë një masë të ngjashme si GSP-ja, e cila do të lejonte eksportin pa tarifa për 3.500 mallra që vijnë nga SHBA-ja”, thuhej në letrën e vitit 2022.

E, aktivisti Mond Rakaj ka këmbëngulur se Kosova nuk humb nga heqja potenciale e tarifës.

“Jemi të kënaqur që presidentja Osmani i është bashkuar kësaj kërkese dhe urojmë që tarifa të ulet në masën sa më të vogël dhe Kosova të përfitojë nga kjo”, ka thënë ai.

Kërkesa e Osmanit ka marrë përkrahje nga dy kongresistë republikanë të SHBA-së, Marlin Stuzma dhe Carlos Gimenez. Ata kanë kërkuar edhe nga vendet e tjera që ta ndjekin shembullin e Osmanit.

Propozimi publik i presidentes ka gjetur mbështetje edhe te komuniteti i biznesit në Kosovë.

Të premten, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara. Të njëjtën e kanë kërkuar edhe përfaqësues të partive opozitare.

Deri tash, Kosova ka qenë në gjendje të eksportojë 3 mijë e 500 lloje mallrash në SHBA, pa iu nënshtruar ndonjë detyrimi doganor.