Arbëri

Qeveria shpërfill britanikët

Ka rreth gjashtë muaj prej kur i ka skaduar mandati sekretarit të përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit dhe prej atëherë, Qeveria nuk e ka plotësuar vendin e mbetur bosh. Sebep për ngërçin në këtë proces zgjedhjeje është bërë vlerësimi jo i njëjtë që ekspertët e Qeverisë dhe ata të Ambasadës Britanike kanë për kandidatin më të suksesshëm. Shpërfillja e britanikëve është bërë, ani se me një marrëveshje Qeveria ishte zotuar t’i merrte parasysh rekomandimet e tyre

Zyra e Kryeministrit pritet të mbetet edhe shumë kohë pa sekretar të përgjithshëm.

Ka rreth gjashtë muaj prej kur i ka skaduar mandati Fitim Krasniqit dhe prej atëherë, Qeveria nuk e ka plotësuar vendin e mbetur vakant, ani se kandidatët i janë nënshtruar një konkursi për këtë.

Sebep për ngërçin në këtë proces zgjedhjeje, është bërë vlerësimi jo i njëjtë që ekspertët e Qeverisë dhe ata të Ambasadës Britanike kanë për kandidatin më të suksesshëm.

Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë ka shpallur njoftimin, sipas të cilit, Komisioni Shtetëror i Pranimit e ka listuar Florim Canollin të parin me pikë.

Ka ndodhur kështu, ani se ekspertët e Qeverisë së Britanisë, kanë sugjeruar një listë të ngushtë të kandidatëve, sipas së cilës kandidati më i suksesshëm ishte Arben Krasniqi.

E marrëveshja që kryeministri Albin Kurti e ka firmosur me britanikët kërkon që rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë të merren në konsideratë.

“Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës zotohen të zgjedhin kandidatët më të mirë/të ranguar më së larti nga lista e ngushtë e përgatitur nga komisioni përkatës, duke marrë parasysh rekomandimet e partnerit të jashtëm zbatues”, thuhet në pikën 13 të kësaj marrëveshjeje.

Ndonëse pyetjet u janë dërguar që nga e hëna, në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë treguar pse deri tash nuk është zgjedhur Sekretari i Përgjithshëm, dhe as nuk kanë treguar se kur do ta bëjnë këtë.

Për procesin, ka refuzuar të flasë edhe kandidati i rekomanduar nga ndërkombëtarët, Arben Krasniqi. Ndërkaq, pyetjeve të shkruara nuk u është përgjigjur as Florim Canolli, kandidat i renditur në krye të listës nga vendorët.

Burime të KOHËS thanë se Qeveria do që procesin ta kthejë në pikën zero, duke e rishpallur konkursin.