Arbëri

Qeveria e cilëson “ndërhyrje” kërkesën e Vuçiqit për autonomi të veriut

Si ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kosovës e ka cilësuar Qeveria e Kosovës deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka kërkuar autonomi para zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe. Në këtë institucion kanë thënë se për zgjedhje të reja të mundshme duhet të ketë edhe sundim të ligjit, i cili do të garantonte që ato janë të lira dhe demokratike, kurse fushata zgjedhore fer dhe e hapur

Serbia nuk ka mandat të dalë me kërkesën që serbëve të veriut t’u ofrohet autonomi më e madhe, kanë thënë të shtunën në Qeverinë e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Reutersin, i bëri thirrje Kosovës një ditë më parë që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarë të komunave në veri, derisa të arrihet autonomi më e madhe për serbët, që e përbëjnë shumicën lokale dhe të cilët i bojkotuan votimet paraprake.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, i ka thënë KOHËS se organizimi i zgjedhjeve është çështje e brendshme e Kosovës, që rregullohet me ligjet e shtetit.

“Organizimi i zgjedhjeve është çështje e cila rregullohet me ligje të Kosovës që janë në fuqi. Për zgjedhje të reja të mundshme në katër komuna në veri, përveçse duhet të respektohet Ligji për zgjedhje, duhet të ketë edhe sundim të ligjit, i cili do të garantonte që ato janë të lira dhe demokratike, kurse fushata zgjedhore fer dhe e hapur”, ka thënë Kryeziu.

Autoritetet e Kosovës janë pajtuar me kërkesën ndërkombëtare për të organizuar zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut, të banuara kryesisht me serbë, pas tensioneve që janë prodhuar në këtë pjesë prej kur Qeveria vendosi që kryetarëve të rinj t’ua sigurojë qasjen në zyre, me asistencën e policisë. Serbët bojkotuan zgjedhjet e legjitimiteti i strukturave lokale është kontestuar, meqë pjesëmarrja në votim ka qenë më e vogël se 4 për qind.

Zëdhënësi Kryeziu ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të reja në veri nuk lidhet as me procesin e dialogut.

“Zgjedhjet mbahen me qëllim të funksionalitetit të institucioneve dhe sigurimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ato nuk kanë të bëjnë me proces të dialogut me Serbinë. Në kuadër të atij procesi, ne tashmë kemi një Marrëveshje bazike, e cila nuk po zbatohet për shkak të Serbisë”, ka thënë Kryeziu.

E ditën kur Vuçiq ka kërkuar autonomi për veriun, autoritetet e shtetit që përfaqëson arrestuan drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili. Ai u prangos nga policia serbe për shkak të planifikimit për të shfaqur dy filma të financuar nga Qeveria e Kosovës. Është arrestua edhe njëri nga aktorët shqiptarë, që merr pjesë në njërin film. Ata janë liruar të shtunën, por shfaqja e filmave është shtyrë për kohë të pacaktuar.

E, në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se presidenti Vuçiq para se të flasë për serbët e Kosovës, duhet të kujdeset për pakicat shqiptare në Serbi.

“Duhet që të paktën fillimisht të respektojnë të drejtat minimale të pakicës shqiptare në Serbi, që tash së fundmi janë target i shtetit serb edhe për shkak të veprimtarive të tyre artistike, siç ishte rasti me drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, dhe bashkëpunëtorë të tij. Shpresojmë që kjo të mos ketë rënë nën radarin e komunitetit ndërkombëtar, në këmbim të ‘konstruktivitetit’ të Serbisë”, ka deklaruar zëdhënësi Kryeziu.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e kanë bërë Kosovën përgjegjëse për tensionet në veri, pasi kanë theksuar se ishte i pakoordinuar vendimi për ta përdorur policinë që t’u sigurojë qasje në zyra kryetarëve të rinj të komunave. Ata kanë kërkuar tërheqjen e policisë dhe kanë paralajmëruar pasoja, nëse kjo nuk do të bëhet.

Njohësi i zhvillimeve politike, Dorajet Imeri, ka thënë se kërkesat për autonomi për veriun shtrohen edhe për faktin që Kosova aktualisht është në situatë shumë të pafavorshme, në rrafshin ndërkombëtar.

“Situata në të cilën gjendemi është plotësisht jo e favorshme sepse ne kemi humbur një pozicion të mirë negociues në raport me Serbinë dhe aq më tepër kur bashkësia ndërkombëtare, nuk e di pse, por ka qëndruar tërësisht e njëanshme ndaj Serbisë. Unë mund ta kuptoj këtë si përpjekje për ta ruajtur stabilitetin në Ballkan, për të mos hapur një konflikt të ri, pasi që nuk i konvenon në aspektin gjeostrategjik, por gjithsesi stabiliteti i Evropës nuk mund të bjerë në kurrizin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së Kosovës”, ka thënë Imeri.

Sipas tij, për situatën ku është aktualisht Kosova, një pjesë të përgjegjësisë e bart edhe Qeveria.

“Edhe Qeveria e Kosovës duhet të jetë pak më e orientuar si duhet në këto procese. Nëse ne kemi nënshkruar një marrëveshje të Brukselit dhe Ohrit dhe ajo marrëveshje ka filluar të zbatohet me draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë natyrshëm që presioni do të jetë mbi Kosovën. S’mund të thuash që është presion përderisa ne vetë i kemi marrë disa obligime”, ka deklaruar ai.

Kryetarët e rinj të komunave të veriut u zgjodhën pasi institucionet lokale e qendrore u braktisën fundvitin e shkuar nga zyrtarët që i përkasin Listës Serbe, parti kjo më e madhja e serbëve të Kosovës. Kthimi në institucione është kushtëzuar me formimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe.