Arbëri

Ushtria serbe lëviz nga tri drejtime për në kufi me Kosovën

Qeveria, nëpërmjet një deklarate, ka bërë të ditur se njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë së Serbisë kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të Kosovës, njësitë e Brigadës së Tretë nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor, dhe njësitë e Brigadës së katërt nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi nevojën që të mbrohet kufiri, e presidentja Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe siguri

Qeveria ka bërë të ditur të shtunën se Ushtria e Serbisë ka lëvizur nga tri drejtime të ndryshme për në kufi me Kosovën.

Sipas një deklarate të Qeverisë, njësitet e Brigadës së dytë të kësaj ushtrie kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit, njësitë e Brigadës së Tretë kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor, dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Kosovës.

“Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë. “Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”.

Në deklaratë është theksuar se Qeveria ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim të cilin e ka kualifikuar si serioz nga Serbia, dhe ka theksuar se reagimi i SHBA-së ndaj kësaj qasjeje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.

Qeveria i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për Kosovën paraqesin kërcënim të përhershëm.

“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratë. “Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë”.

Para kësaj deklarate të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk e lejon Forcën e Sigurisë së Kosovës që të hyjë në veri.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi më 2013 e pati bërë zotimin që nuk do ta dërgonte FSK-në në veri pa koordinim me NATO-n.

E Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, theksoi se ky zotim ka lënë vakum në pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon Forca e Sigurisë e Kosovës të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata praninë e NATO-s, KFOR-it, atje. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht, sepse sa herë që ajo nuk është ndëshkuar për krimet e saj, i ka përsëritur ato, dhe kjo nuk duhet lejuar”.

Tek i shpalosi faktet rreth ngjarjes të së dielës në Banjskë të Zveçanit, kryeministri Kurti tha se të gjitha ato që janë gjetur deri tash dëshmojnë që Serbia e sponsorizon terrorizmin në veri.

“Prej të dielës asgjë nuk është e njëjtë. Faktet dolën në sheshazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizmin në veri, u qartësua e u vërtetua për të gjithë. Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë, përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e që janë strehuar nga Serbia të ekstradohen në Kosovë sa më parë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai kërkoi gjithashtu që “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste edhe nga aleatët ndërkombëtarë, dhe që Serbia të ndëshkohet për krimet e bëra, tek tha se sa herë që ajo nuk është ndëshkuar, i ka përsëritur krimet.

E zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, puna e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe koordinimi me aleatët e prania ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë kanë qenë temat që kanë diskutuar të shtunën tre udhëheqësit e mbrojtjes në Kosovë.

Siç ka njoftuar Presidenca e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, që njëherësh është edhe komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka takuar të shtunën ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatet tanë”, thuhet në njoftim të presidentes.

Pas takimit me udhëheqësit ushtarakë, Osmani ka takuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonelin Gazmend Hoxha.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani falënderoi për punën e shkëlqyeshme dhe profesionale, si dhe angazhimin e pashoq të Policisë së Kosovës. Ajo edhe njëherë ka shprehur vlerësimin e lartë për veprën e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili u vra nga grupet kriminale e terroriste në veri të vendit”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Presidentja Osmani ka thënë gjatë ditës se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet ta zhbëjë atë që është arritur në rajon së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por sipas saj, një gjë e tillë nuk do të lejohet.

“Mbi 2 dekada pasi Millosheviqi shkatërroi Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, togeri i tij Vuçiq tani po përpiqet të zhbëjë gjithçka që kemi arritur së bashku me SHBA-në dhe BE-në: paqen, lirinë dhe bashkëjetesën mes bashkësive të ndryshme. Ne do të punojmë me aleatët tanë dhe nuk do të lejojmë që këto arritje të zhbëhen. Liria do të mbizotërojë”, ka shkruar Osmani në platformën sociale X.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.