Ambasadat e vendeve perëndimore e kanë përsëritur kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit, por Qeveria ende nuk është deklaruar për këtë çështje. Gjatë së enjtes, këtë kërkesë e ka kundërshtuar Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, e cila ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës të mos e zbatojë vendimin, të cilin e vlerëson kundërkushtetues
Një ditë pasi vendet e QUINT-it i kërkuan Qeverisë ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit, ekzekutivi nuk është deklaruar për këtë çështje.
Qeveria nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me thirrjen për zbatimin e vendimit, i cili ia njeh Manastirit të drejtën e pronësisë mbi 24 hektarë tokë të dy ish-ndërmarrjeve publike në këtë komunë, “Apiko” dhe “Iliria”.
Shefat e misioneve të pesë vendeve perëndimore të mërkurën deklaruan se përkushtimin për sundimin e ligjit Qeveria duhet ta dëshmojë përmes zbatimit të këtij vendimi.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë me regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët.
Duke e vlerësuar kundërkushtetues, moszbatimin e këtij vendimi e ka kërkuar të enjten Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, përmes një aksioni simbolik para Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Pasi në objektin e Agjencisë ka vendosur pankartat me kërkesat e tij, kryetari i kësaj lidhjeje, Shkodran Imeraj, ka kërkuar që të ndërpritet edhe presioni ndërkombëtar për këtë çështje.
“Me zbatimin e këtij vendimi do të dëmtohet rëndë Deçani, por jo vetëm Deçani, por e gjithë Kosova dhe më pas do të hapen shumë probleme të tjera për shumë prona të cilat me një këmbë është duke i pritur që t’i grabisë Serbia nëpërmjet Kishës Ortodokse në vendin tonë”, ka thënë Imeraj.
Ai ka paralajmëruar mundësinë që kundërshtimi i vendimit të bëhet dhe nëpërmjet protestave. Vendimin, Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë në vitin 2016, por i njëjti nuk është zbatuar akoma.
Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet ta sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet e tjera në Kosovë.
Sipas këtij Ligji, Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura.