Arbëri

Qeveria pret që ndërkombëtarët të ndryshojnë qëndrimin për vettingun

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se janë në diskutime të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, të cilët sipas saj kanë konsideruar që vettingu duhet të jetë si masë e fundit për përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Haxhiu shpreson që edhe Komisioni i Venecias, ku e kanë dërguar për interpretim koncept-dokumentin për vettingun, ta mbështetë atë

Qeveria e Kosovës është duke insistuar që të realizohet procesi i vettingut, ndonëse përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare e shohin këtë si masë të fundit për përmirësim të sistemit të drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në diskutimin me temën: “Në pritje të Opinionit të Komisionit të Venecias për Koncept-Dokumentin për vetting”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Komisioni Parlamentar për Legjislacion, ka thënë se presin që ndërkombëtarët të ndryshojnë qëndrim.

“Ne jemi në diskutime të vazhdueshme me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke pasur parasysh që në raportin e fundit për vendin ata kanë konsideruar që vettingu duhet të jetë si masë e fundit. Ne jemi duke diskutuar vazhdimisht me ta dhe presim që ata të binden për nevojën e reformës në drejtësi përmes vettingut”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka thënë se vettingu nuk do të jetë proces hakmarrës ndaj personave të caktuar.

“As Qeveria dhe as Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk do të ketë fare ndikim në mekanizmin e pavarur që do të themelohet, ai do të jetë komplet i pavarur dhe po ashtu do të monitorohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, e po ashtu edhe përzgjedhja e personave që do të jenë në mekanizmin e pavarur të vettingut do të ndihmohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, specifikisht nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë shpreson që edhe Komisioni i Venecias, ku e kanë dërguar për interpretim koncept-dokumentin për vettingun, ta mbështetë atë.

“Ne presim që më 18, 19 dhe 20 maj një delegacion nga Komisioni i Venecias, pra raportuesit që janë përgjegjës për opinionin për vettingun të vijnë në Kosovë, ata kanë planifikuar që të takohen me të gjitha institucionet relevante. Ne e kemi obligim që në këto takime t’u tregojmë atyre për nevojën që ka Kosova për vettingun dhe tash ne jemi optimistë, por natyrisht që nuk mund të themi asgjë me siguri deri sa ta kemi opinionin e Venecias”, ka theksuar Haxhiu.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që Komisioni i Venecias ta kuptojë saktë situatën në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, derisa është shprehur e dëshpëruar, siç ka thënë ajo, për faktin që mekanizmat aktualë në kuadër të institucioneve të drejtësisë nuk janë zbatuar dhe nuk janë përdorur në të mirë të sistemit.

Edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se vettingun e shohin të domosdoshëm dhe të pashmangshëm.

“Nga këtu do të kisha dashur të inkurajoj edhe anëtarët e nderuar të Komisionit të Venecias që t'i japin dritë të gjelbër implementimit të këtij procesi në vendin tonë, që është zgjidhja e vetme dhe më e mira për ta rikthyer kredibilitetin në sistemin e drejtësisë, dhe të njëjtin ta bëjmë meritor, efikas e funksional”, ka deklaruar Rrustemi.

Por në një draft-opinion të para një muaji, të cilin e ka parë KOHA, Komisioni i Venecias, ka dal kundër procesit. Në përfundimet e draft-opinionit rekomandohet që verifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëhet nga mekanizmat përbrenda KPK-së e KGJK-së.

Realizimi i vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe krijimit të një “Mekanizmi për vettingun”, që përkrahet nga Qeveria, sipas Komisionit, do të duhet të merret parasysh, vetëm nëse verifikimi brenda këtyre institucioneve rezulton i pamjaftueshëm.

Kritika për Qeverinë lidhur me qasjen e saj për vettingun ka pasur kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.

“Nuk ka qenë fat i mirë, koncept-dokumenti ka ecur pa finalizimin tonë, pa pjesëmarrjen tonë. Ne mendojmë që nuk është bërë një analizë e mirëfilltë për nevojën e vettingut edhe në sistemin prokurorial dhe në atë gjyqësor. Nuk është vlerësuar drejt ndërhyrja që i bëhet përmes këtij koncept-dokumenti pavarësisë së këtyre institucioneve”, është shprehur Maloku.

Qasja e Qeverisë është kritikuar edhe nga opozita. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e hedhur akuza drejt qeverisë për mungesë të transparencës në këtë proces.

“Ideja për vetting të plotë, ose të tërësishëm të sistemit, unë mendoj që është gabim, sepse modelet që janë aplikuar në vendet e rajonit kanë dal të jenë dështim. Për LDK-në, mendojmë që modeli që duhet të aplikohet në Kosovë duhet të jetë i kombinuar. Duhet të nxirret një ligj që përcakton kriteret për matjen e integritetit të gjyqtarëve e prokurorëve dhe duhet të ndryshohen ligjet për matjen e performancës së tyre”, është shprehur Selmanaj.

Besnik Tahiri nga AAK-ja, ka thënë se vettingu nuk duhet të jetë politik.

“Vettingu nuk duhet të ketë për qëllim shtrirjen e pushtetit politik në këtë sektor, por duhet të ketë qëllim primar të ngritjes së cilësisë së sektorit të sundimit të ligjit që lidhet me procesin e integritetit, me më shumë drejtësi, dhe mbi të gjitha ma pastërti”, ka theksuar Tahiri.

Komisioni i Venecias pritet që gjatë qershorit të dalë me opinion final lidhur me çështjen e vettingut.