Arbëri

Qeveria pret që me Von der Leyenin të diskutohet për Planin e Rritjes dhe përfitimet për Kosovën

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Qeveria e Kosovës pret që gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shtunën, të diskutohet për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian dhe përfitimet për Kosovën.

Von der Leyen tashmë ka nisur një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor. Të shtunën ajo do të qëndrojë në Kosovë. Pritet të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Kryeministri Kurti nesër do të mirëpresë Presidenten e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen. Kjo vizitë po vjen disa ditë pasi që BE-ja miratoi agjendën e reformave të Kosovës, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në takimin e nesërm pritet të diskutohet për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, përfitimet për Kosovën dhe qytetarët tanë, marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian dhe rrugën tonë integruese”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ka ndarë 6 miliardë euro. Kosovës pritet t’i takojnë mbi 800 milionë euro. Mjetet e para nga ky fond pritet të ndahen në fund të këtij viti. Ndryshe nga vendet e rajonit, për Kosovën dhe Serbinë përfitimi i milionave të BE-së, është i ndërlidhur me angazhimin konstruktiv në dialog.

Nga vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes, prej 6 miliardë eurosh, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.

Së fundmi Komisioni Evropian miratoi agjendën e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i hapur mundësi rajonit për qasje në Planin e Rritjes.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitën në rajon e ka nisur të mërkurën në Shqipëri, pastaj në Maqedoni të Veriut, Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe pas qëndrimi në Kosovë ajo do të shkojë në Mal të Zi.