Arbëri

Qeveria pezullon punën e institucioneve parashkollore, ankohen prindërit

Një muaj e gjysmë pasi janë hapur institucionet parashkollore publike e private, me vendim të Qeverisë të hënën është vendosur që të pezullohet veprimtaria e tyre.

Vendimi është marrë në kuadër të masave të reja për luftimin dhe parandalimin e COVID-19.

KOHA ka kërkuar sqarime në Qeveri se nga kur hyn në fuqi vendimi dhe nëse ka paraparë ndonjë zgjidhje për prindërit që punojnë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës, raporton KOHA.

Sqarime nuk kanë dhënë as në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Shkurt, kanë theksuar se janë në koordinim të plotë me Zyrën e Kryeministrit, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike e Ministrinë e Shëndetësisë dhe se çdo rekomandim i tyre do të zbatohet në përpikëri nga MASH-i.

E në kolegjiumin e drejtorëve të çerdheve kanë thënë se nuk kanë ende informata të sakta nga Qeveria rreth pezullimit të punës së institucioneve parashkollore dhe për këtë nuk mund të prononcohen.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, vendimi i Qeverisë sado i arsyeshëm për shkak të situatës aktuale, është i padrejtë ndaj prindërve e institucioneve parashkollore.

Më 11 mars derisa ende nuk ishte konfirmuar asnjë rast me koronavirus në Kosovë, Qeveria Kurti e pati pezulluar punën e institucioneve arsimore dhe kishte mundësuar që njëri prind të qëndrojë në shtëpi me fëmijët. Në fund të muajit maj, e njëjta qeveri mori vendim për rihapjen e institucioneve parashkollore duke respektuar disa masa.