Drejtues të Telekomit dhe të Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje janë takuar me kryeministrin e vendit, Avdullah Hoti, ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe përfaqësues të Z-Mobile, për gjetjen e një zgjidhjeje rreth zhbllokimit të llogarive të Telekomit.
Edhe njëherë palët kanë shprehur qëndrimet e tyre, përderisa nga Sindikata thonë se kanë dërguar në polici kërkesën për protestë e cila do të mbahet të enjten në rast se nuk zhbllokohen llogaritë. Ata thonë se janë duke pritur deri në mbrëmje ta marrin një përgjigje në lidhje me këtë, në të kundërtën do të ketë protesta para Qeverisë e Kuvendit.
Në Facebook, Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (FSP-PTK), ka paralajmëruar të enjten me fillim nga ora 13:00 protestë 24-orëshe para Qeverisë.
Lidhur me gjendjen në Telekom pas bllokimit llogarive bankare, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka raportuar disa orë më vonë në Komisionin parlamentar për Ekonomi .
Ai ka thënë se pas takimit Qeverisë-Telekom-Dardafon, kësaj të fundit i është kërkuar një marrëveshje, që të paktën deri më 1 tetor t’i zhbllokojë llogaritë bankare.
“Marrëveshje s’kemi arritur. ‘Dardafon’ nuk ka dhënë deri tash këtë mundësi që ta bëjë zhbllokimin e llogarive bankare deri më 1 tetor, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje nëse është e mundshme. Andaj, po e presim këtë përgjigje ende nga ‘Dardafon LL.C’”, theksoi Kuçi.
U. d. Kryeshefja ekzekutive e e Telekomit, Burbuqe Hana ka thënë se janë duke përgatitur një kundër padi në arbitrazh ndaj Dardafon-it për bllokimin e llogarive bankare që nuk është pritë kaq shpejt të nisë përmbarim.
Këto komente Hana i ka bërë gjatë raportimit në komisionin për Ekonomi në Kuvend.
Ajo tha se më anë të kësaj kundër-padie që është angazhuar nja kompani nga Parisi ta bëjë këtë, dhe pretendojmë mbi 100 milionë euro.
Sipas saj, asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë për ta mbështetur kompaninë për të ngritur kundër padi pasi ka materiale të bollshme në favor të Telekomit.
“Jemi të habitur me shpejtësinë që ka ndodhur nga përmbarimi. Është përgjegjësi e madhe që ka rënë mbi menaxhmentin dhe bordin. Pra, jemi afër falimentimit. Kemi një kundër padi, që aktualisht është duke u punuar. Kontestojmë këtë borxh pasi nuk është real nga Dardafon... Asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë për shpëtimin e Telekomi”, tha ajo.