Arbëri

Qeveria për deklaratën e Vulinit: Dëshmi e lidhjeve të Serbisë me Rusinë e Kinën

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vulin, sipas të cilit ky shtet duhet ta ketë alternativë anëtarësimin në koalicionin BRICS, pjesë e të cilit janë edhe Rusia e Kina. Edhe në Bruksel kanë reaguar ndaj një deklarate tjetër të qeveritarëve të rinj në Beograd, të cilët kanë theksuar se fillimisht duhet të ndodhë anëtarësimi, e më pas të përshtatet politika e jashtme me atë të BE-së

Qeveria e Kosovës e sheh si dëshmi për synimet dhe orientimin e vërtetë të Serbisë, deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Aleksandar Vulin, sipas të cilit shteti që përfaqëson duhet ta ketë alternativë anëtarësimin në  grupin e kombeve BRICS.

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Rusia dhe Kina.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë në një përgjigje për KOHËN se politikat e Bashkimit Evropian të ushtruara ndaj Serbisë janë duke krijuar rezultate kundërproduktive.

“Dita-ditës po bëhet më e qartë se orientimi i Serbisë nuk është paqja e demokracia, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe integrimi në strukturat euro-atlantike. Lidhjet e tyre po fuqizohen me Rusinë e Kinën, e tashmë po kurorëzohen me afrimin e mëtejmë me aleancën e BRICS. Politikat e ‘appeasement’ ndaj Serbisë, kanë krijuar një rezultat kundërproduktiv, duke bërë që Serbia të kërkojë paratë e financimet nga Bashkimi Evropian, edhe pse Vulin e quan BE-në si një institucion që po ‘afrohet më shumë drejt fundit sesa fillimit’, e nga ana tjetër të afrohet gjithnjë e më shumë drejt BRICS”, ka thënë Kadiu.

Në lidhje me deklarimet e zyrtarëve serbë karshi integrimit në BE, të hënën mbrëma është deklaruar edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

Ai është pyetur specifikisht për deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha se fillimisht duhet anëtarësim në BE, e më pas përshtatje e politikës së jashtme me të.

“Nuk mund të pretendosh të jesh një shtet anëtar dhe të jesh prishës i politikës së jashtme të përbashkët. Tashmë kemi mjaft, nuk na duhen më shumë. Detyra e ndërtimit të një marrëveshjeje për politikën e jashtme kërkon që shtetet e reja anëtare të ndajnë parimet bazë të kësaj politike të jashtme. Dhe Serbia e di shumë mirë këtë. Është një nga kushtet në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrell.

BE-ja ia ka hapur negociatat e anëtarësimit Serbisë. E zëvendëskryeministri i këtij shteti, Aleksandër Vulin, i cili ndodhet në listën e zezë të SHBA-së, ka theksuar se për t’u bërë anëtar i koalicionit BRICS nuk ka nevojë të miratohen ligje që hartohen nga dikush tjetër e as të vendosësh sanksione ndaj ndokujt.