Inicim të rishikimit të të gjitha zonave ekonomike në Kosovë ka paralajmëruar të martën ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, gjatë raportimit të saj në Komisionin për Mbikëqyrje Financiare.
Sipas saj, fatin e këtij rishikimi do ta ketë edhe Zona Ekonomike në Drenas.
Në këtë raportim, duke folur për raportin e auditimit për pasqyrat financiare të MTI-së për vitin 2020, ka përmendur keqpërdorimet me paranë publike, parregullsitë e mangësitë.
Shqetësuese, sipas Hajdarit, mbetet projekti për ndërtimin e parkut industrial në Lumadh.
Por deputetë nga opozita PDK dhe LDK nuk morën pjesë në këtë mbledhje, as kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami që vije nga LDK-ja, raporton KP. Deputetja nga AAK, Albana Bytyçi, bojkotoi mbledhjen, duke e arsyetuar këtë me mospjesëmarrjen e deputetëve të tjerë nga opozita.
Në komisionin e kryesuar nga zëvëndëskryetarja, Arta Bajralija nga VV, Hajdari u shpreh se nuk është vetëm parku industrial në Lumadh që ka pasur parregullsi dhe mangësi, por sipas saj, ka shumë parregullsi për shumë parqe, për punësim me kontrata mbi vepër dhe çështje të tjera nga ish-MTI tani MINT.
Ajo ka thënë se do të marrin të gjitha masat për evitimin e të gjitha mangësive sa i përket gjetjeve nga auditori.
“Gjetjet për parkun industrial në Lumadh vërtet janë brengosëse, për tejkalimin e shpenzimeve. Ky projekt milionësh është vërtet për të na shqetësuar sa i përket keqpërdorimeve të parasë publike, duke devijuar projektin dhe rrit koston e ndërtimit në këtë mënyrë”, theksoi Hajdari.