Arbëri

Qeveria, pa adresë për çështjet që lidhen me integrimin në BE

Prej kur Ministria e Integrimeve u shndërrua në Zyrë në kuadër të Kryeministrisë, Kosova ka mbetur pa një derë institucionale ku mund të adresohen çështjet e integrimit drejt BE-së, përfshirë këtu edhe reformat e parapara në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Për këtë shkak, qeveria aktuale, në korrik të këtij viti, kishte marrë vendim për fillimin e hartimit të koncept-dokumentit për themelimin e agjencisë për integrim, raporton KOHA.

Një nismë e tillë ishte aprovuar më 14 gusht, në një nga mbledhjet e Qeverisë.

Por, dy muaj pas, Qeveria u bë pishman për formimin e këtij institucioni, të cilin e riktheu në pikën zero.
Në fillim të mandatit Qeveria vendosi t’i zhvendosë strukturat organizative përkohësisht nga ish-Ministria e Integrimit Evropian te Zyra e Kryeministrit, por ende nuk është prodhuar asnjë raport për zbatimin e MSA-së.

Deputetja e Vetëvendosjes Fitore Pacolli thotë se aktualisht Kosova nuk ka adresë ku BE-ja mund t’i drejtohet rreth MSA-së.

“Kosova ka mbetur pa një adresë politike dhe institucionale për BE-në, pra kënd e kontakton BE-ja kur ka të diskutoj për çështje teknike, për çështje të reformave dhe për çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe për procesin e zbatimit të MSA-së, pra nuk ka adresë, nuk ka agjencion, nuk ka zyre. I vetmi person i cili ka thënë se duhet të kontaktohet për këto çështje, por që nuk ka asnjë dokument që e ka caktuar atë person është Driton Selmanaj, pra a është ai personi përgjegjës duhet ta dimë këtë”, ka thënë Pacolli.

Shqetësuese mungesën e një raporti për zbatimin e MSA-së e sheh Demush Shasha, nga Instituti Epik.

“Po e shohim një mungesë të madhe të interesit politik për të zbatuar reformat në procesin integrues. Pra mungesa e institucionit përgjegjës për procesin e integrimit evropian, mungesa e një adrese politike brenda Qeverisë për procesin e integrimit, dhe mungesa e një raporti për nivelin e zbatimit të kësaj marrëveshje, është indikacion për një mungesë të vullnetit politik për procesin integrues”, ka pohuar Shasha.
Përgjigje në pyetjet rreth këtyre çështjeve nuk ka kthyer Qeveria e as zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Kritika ndaj Kosovës për mos implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit janë evidentuar edhe në Raportin e Progresit për vitin 2020.