Arbëri

Qeveria nuk ka “dorë” në draftet e dy marrëveshjeve rajonale

Në Qeverinë e Kosovës kanë thënë të mos kenë autorësi mbi draftet e dy marrëveshjeve rajonale, që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë. Përderisa grupe pune janë themeluar për të ofruar komente mbi përmbajtjen, opozita e ka akuzuar kryeministrin Kurti se Qeverinë e ka vënë në funksion të krijimit të Jugosllavisë së re, duke e bërë Kosovën pjesë të mini-Shengenit. E në kabinetin e Kurtit kanë thënë se nisma për marrëveshjet nuk ka të bëjë asgjë me projektin e mini-Shengenit

Ekzekutivi i Kosovës nuk ka autorësi mbi draftet e dy marrëveshjeve rajonale, nismën për lidhjen e të cilave e ka miratuar Qeveria Kurti fundjavën e shkuar.

Në njërin Draft-marrëveshje përshkruhen kushtet reciproke të hyrjes, kalimit transit dhe qëndrimit të shkurtër të shtetasve të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në secilin nga këto shtete, vetëm me letërnjoftime biometrike. E dyta ua mundëson shtetasve të palëve të treta qarkullimin në të gjashtë këto shtete, në rast se kanë siguruar vizë në ndonjërin nga to.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, i ka thënë KOHËS se të dyja dokumentet janë hartuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe se ato janë ndarë me të gjashtë shtetet, e të cilat do ta kenë mundësinë të japin komente mbi përmbajtjen.

“Më vonë të mund të krijohet një draft i përbashkët, e në qoftë se ka pajtueshmëri të të gjitha palëve, mund të përkthehet në një marrëveshje potenciale. Porse, aktualisht është ende në nivel të ndarjes së komenteve dhe qëndrimeve të vendeve të përfshira në këtë proces”, ka thënë Kryeziu. “Në mbledhjen e kaluar të Qeverisë së Republikës së Kosovës është marrë aprovimi që Ministria e Punëve të Brendshme të krijojë grupe punuese për këto dy dokumente. Grupet tashmë janë themeluar, janë në fazën e shqyrtimit të këtyre dokumenteve dhe do të japin komentet e tyre në momentin e parë”.

Zëdhënësi Kryeziu ka paralajmëruar se në shumë pika do të jepen propozime të tjera nga ato që ndodhen në drafte.

“Tash jemi herët për një draft të përbashkët, meqë ka shumë komente të cilat duhet të adresohen. Në të njëjtën kohë, edhe grupet tona punuese të ndajnë me palët e tjera komentet e tyre”, ka thënë ai.

Pasi KOHA publikoi përmbajtjen e dokumenteve, ka reaguar kreu i partisë kryesore në opozitë.

Enver Hoxhaj, kryetar në detyrë i PDK-së, ka theksuar në një postim në Facebook se makro-Shengen shqiptar, që do të bënte të mundur bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë me shpejtësi të re – premtonte Albin Kurti në fushatë. E tani, sipas tij, si kryeministër, Shqipëria është më larg se kurrë, raportet më të ftohura se asnjëherë më parë, ndërsa energjitë, vizionin dhe Qeverinë Kurti e ka vënë në funksion të krijimit të Jugosllavisë së re duke e bërë Kosovën pjesë të mini-Shengenit.

“Gjashtë shtete – një vizë, apo Jugosllavia e re, është dhurata dhe lëshimi i parë që Albin Kurti ia bëri Serbisë. E kam pritur dezertimin e Kurtit, por jo kaq shpejt dhe jo kaq paturpësisht. Cila do të jetë dhurata e radhës për Serbinë, Albin?”, ka shkruar mes tjerash Hoxhaj.

Në Qeveri insistojnë se nisma për dy marrëveshjet rajonale nuk e ka burimin te projekti i mini-Shengenit.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me mini-Shengenin. Me atë që po prezantohet si zona mini-Shengen, e që praktikisht meqë vendlindjen e ka në Novi-Sad, ajo është zona e Novi-Sadit. Ne e dimë ide e kujt është dhe nga kush është mbështetur kjo ide”, ka thënë zëdhënësi Përparim Kryeziu. “Kurse kjo çka po bëjmë ne është në kuadër të Procesit të Berlinit, e cila është filluar në Berlinin zyrtar, e që ka mbështetjen e kancelares Angela Merkel”.

Projekti i mini-Shengenit ballkanik ishte iniciuar në Novi-Sad, nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Krahas Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, edhe Kosova fillimisht kishte refuzuar të përfshihej në të. Por shtatorin e vjetëm, Avdullah Hoti si kryeministër firmosi në Shtëpinë e Bardhë një zotim për t’u bërë pjesë e mini-Shengenit.