Arbëri

Qeveria nuk jep sinjale për jetësimin e shpejtë të sigurimeve shëndetësore

Tryeza per sigurime shendetesore ne Kosove

Kosova mbetet një nga vendet e pakta në Evropë pa sigurime shëndetësore, ndonëse tash e tetë vjet është krijuar baza ligjore për të. Të hënën, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se është duke u punuar në Udhëzimin administrativ për udhërrëfyesit dhe protokollet klinike, si dhe në Sistemin Informativ Shëndetësor, parakushte këto për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. E një hulumtim i prezantuar gjatë ditës dëshmon për rënie të shërbimeve spitalore të SHSKUK-së

Tetë vjet pas miratimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, implementimi i tij vazhdon të mbetet njëra ndër sfidat më të mëdha të fushën e shëndetësisë.

Në një tryezë të organizuar për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mbulimit Universal me Shërbime Shëndetësore, është thënë se Ministria e Shëndetësisë po punon në Udhëzimin administrativ për udhërrëfyesit dhe protokollet klinike, si dhe në Sistemin Informativ Shëndetësor, parakushte këto për të nisur me sigurimet shëndetësore.

Dafina Gexha, ushtruese e detyrës e ministres së Shëndetësisë, ka thënë se ngritja e sigurimeve shëndetësore është një ndër sfidat më të mëdha të sektorit.

“Jemi duke punuar në dy drejtime si Ministri e Shëndetësisë: në përgatitje intensive në hartimin e udhërrëfyesve dhe të protokolleve. Kemi një numër shumë të vogël, deri më tash që janë hartuar, i kemi identifikuar problemet me pjesën legjislative, ku në plan është të plotësohet, përkatësisht ndryshohet udhëzimi administrativ për udhërrëfyesit dhe protokollet klinike në një anë, por edhe një plan i qartë për vitin 2022, se cilat udhërrëfyes dhe protokolle janë me prioritet”, ka thënë Gexha.

Programi për trajtim jashtë vendit, mungesa e listës së papërcaktuar e shërbimeve si dhe çmimorja janë detyrimet kryesore, të cilat është dashur të kryheshin nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij institucioni, Bujar Kaçuri.

“80 për qind e aktivitetit tonë fokusohet në programin për trajtim jashtë vendit në të cilin kemi evidentuar një mori problemesh. Kemi trashëguar në një borxh mbi 30 milionë euro. Gjithashtu, problem kemi referimet e shumta të pacientëve për trajtim jashtë vendit dhe pamundësinë për t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Gexha. “Ky program është i organizuar me një akt administrativ i pandryshuar që nga viti 2016 dhe ende nuk është bërë asnjë ndryshim”.

Një hulumtim i prezantuar në këtë tryezë ka treguar për rënie të shërbimeve spitalore në nivel vendi.

“Këtu po e shihni një trend të shërbimeve që janë ofruar në SHSKUK nga viti 2016, ku janë rreth 865 mijë ditë shërimi deri në vitin 2019, 162 mijë pacientë të shtrirë dhe ky trend ka rënë në vitin 2020, që sigurisht që ka ndikuar edhe pandemia”, ka thënë Agron Bytyqi, përfaqësues i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve. “Nga viti 2016 kanë qenë diku rreth 40 mijë operime dhe 23 mijë lindje dhe 1.4 milion vizita ambulantore. Në vitin 2019 janë 42 operime, 21 mijë lindje dhe 1.6 milion vizita ambulantore. Në vitin 2020 po shihet rënie, që është diku prej 16 mijë operacioneve dhe për 600 mijë vizita më pak. Do të thotë numri i shërbimeve ka rënë dukshëm”.

Ai ka theksuar se nga viti 2016 deri në vitin 2021 kanë qenë 24 milionë vizita ambulantore, trend i përafërt që ka vazhduar deri në vitin 2018, ku ka arritur në 28 milionë, dhe ka bërë të ditur se ky numër ka mbërritur në 50 milionë në vitin 2021.

“Siç po e shihni, buxheti për barna në ShSKUK është dyfishuar dhe numri i shërbimeve pothuajse ka qenë dyfish më i vogël”, ka thënë Bytyqi.

E Fatmire Kollçaku, kryetare e Komisionit parlamentar për shëndetësi, ka thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk e ka operuar konform mandatit.

“Krejt vëmendja dhe krejt fokusi i një institucioni që është krijuar me ligj është zhvendosur te trajtimi jashtë vendit. Çka kemi konstatuar pas ardhjes është se ka një borxh enorm, që është 31 milionë euro nga trajtimi i pacientëve jashtë vendit”, ka thënë ajo.

Kosova mbetet një nga vendet e pakta në Evropë pa sigurime shëndetësore, ndonëse tash e tetë vjet është krijuar baza ligjore për të.