Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje ka ndarë 100 mijë euro në mbështetje për familjen e aktivistit kosovar Enver Hadri.
Në njoftimin për media të shtunën, Qeveria ka thënë se këto mjete janë ndarë për t’i mbuluar shpenzimet në procesin gjyqësor që ka nisur në Gjykatën Penale të Brukselit për vrasësit e Hadrit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka ndarë 100 mijë euro mbështetje financiare familjes së veprimtarit të vrarë Enver Hadri, për mbulimin e shpenzimeve për procesin gjyqësor, i cili ka filluar në Gjykatën Penale në Bruksel, në çështjen penale kundër të akuzuarve për vrasjen e aktivistit të njohur të çështjes së Kosovës, Enver Hadri, i vrarë në Belgjikë në vitin 1990”, thuhet në njoftim.
Në një prononcim për KOHËN të premten, vajza e Enver Hadrit, Teuta, e falënderoi Qeverinë e Kosovës për gatishmërinë për ndihmë në procesin gjyqësor që ka nisur në Bruksel.
Gjykata Penale e Brukselit të enjten (9 janar) nisi procedurat për rishqyrtimin e rastit të Veselin Vukotiqit dhe Andria Drashkoviqit, të cilët akuzohen si dy nga katër autorët e vrasjes së aktivistit nga Kosova.
Vukotiq, 72 vjeç, dhe Drashkoviq, 60 vjeç, u dënuan në mungesë me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2016 nga Gjykata e Apelit në Bruksel për vrasjen e Hadrit, ish-presidentit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Juria pati konstatuar se këta dy persona vepruan me urdhër të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë. Urdhrin, sipas gjykatës, e ka dhënë kryeinspektori Bozhidar Spaçiq, i cili gjithashtu është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm. Por ata asnjëherë nuk u janë dorëzuar autoriteteve belge nga Serbia.
Enver Hadri u vra me plumb në kokë më 25 shkurt të vitit 1990 në Saint-Gilles të Belgjikës teksa ishte duke pritur në semafor me veturë. Hadri kishte me vete listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia të cilën do t'ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Parlamentin Evropian.