Qeveria e Kosovës e ka miratuar të mërkurën projektbuxhetin për vitin 2025. Buxheti projektohet të jetë 3.6 miliardë euro, ka njoftuar kryeministri Albin Kurti, derisa do të shkojë në Kuvend të Kosovës për votim.
Kurti ka deklaruar se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale, ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore e 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë.
Për premtimet e partive opozitare, Kurti u shpreh se ato janë boshe, duke shtuar se “emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet të ngatërrohet”.
“Ndërkohë, për shkak se tashmë zgjedhjet po afrohen, po dëgjojmë edhe shumë premtime boshe opozitare sikundër vlerë e vendimeve të mira të Qeverisë. Mirëpo, për një gjë duhet të jemi të sigurt se emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet ngatërruar”, ka thënë ai.