Arbëri

Qeveria merr tjetër vendim për shpronësime në veri

Qeveria e Kosovës ka marrë të enjten dy vendime që lidhen me shpronësim pronash në veri të Kosovës. Me vendimin e parë është autorizuar Ministria e Mjedisit t’i kryejë punët përgatitore për të përcaktuar përshtatshmërinë e pronave për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik” në Leposaviq, ndërsa vendimi i dytë që është miratuar ka qenë “shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme” në këtë komunë.

Të enjten gjatë ditës, banorë të fshatit Dren të Leposaviqit kanë protestuar kundër vendimeve të Qeverisë për shpronësim të tokave, që i ka shpallur me interes publik. Punimet në zgjerimin e rrugës janë ndalur e Lista Serbe u ka shkruar ambasadave e misioneve të huaja në Kosovë. Qeveria s’i ka komentuar as ndaljen e punimeve e as protestën. Ndërkaq në mbrëmje ka njoftuar për miratimin e dy vendimeve në një mbledhje elektronike.

“- Vendimin me të cilin Autorizohet Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për kryerjen e punëve përgatitore për përcaktimin e përshtatshmërisë potenciale të një ose më shumë parcelave të pronës së paluajtshme për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq. - Vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, Zonat Kadastrale: Bistricë e Shalës, Bregu i Madh, Dren, Leshak dhe Koshtovë, Komuna Leposaviq dhe Zonat Kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Banjë dhe Jasenovik i Epërm, Komuna Zubin Potok”, thuhet komunikatën e Qeverisë.

Bazuar në vendimet e publikuara në uebfaqen e Qeverisë, për vendimin e parë sqarohet se çdo person që është pronar i një interesi në pronën e paluajtshme që është objekt i punëve përgatitore ka të drejtë të kompensohet e se vlera e kompensimit caktohet nga Ministria e Financave.

Ndërsa vendimi i dytë thekson se vlera e kompensimit të pronave që duhet të shpronësohen do të caktohet nga MF-ja.

Vendimet pasojnë atë të 16 janarit, kur Qeveria pati miratuar vendimin “për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq”.