Qeveria e Kosovës ka mbrojtur Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, që është miratuar të enjten nga deputetët e Kuvendit, pavarësisht kritikave të faktorit ndërkombëtar.
Ekzekutivi ka thënë se Ligji për KPM-në sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg.
Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, thuhet se projektligji për KPM-në është miratuar mbi parimet e respektimit të plotë të direktivës AVMS, harmonizimit të këtij Projektligji me legjislacionin në fuqi dhe sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës.
“Direktiva e Bashkimit Evropian AVMS, shtrihet mbi dy parime kryesore: të siguruarit që çdo medium që prodhon informacion i nënshtrohet rregullave të njëjta dhe, që çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi atë se kush ia plason lajmin përmes të cilit informohet, marrë parasysh që gjykimet tona edhe formohen mbi lajmin që na plasohet. Në dritë të kësaj, çdo portal që prodhon lajm vetërregullohet por, çdo portal që prodhon e plason lajm përmes audio apo video mesazhi, i duhet nënshtruar rregullave të njëjta me ato që vlejnë për televizion, sepse të dy këto kanë audiencën e njëjtë dhe kanë qëllimin e njëjtë – informimin. Andaj, të dy këto, për të qenë konkurrente në treg, i nënshtrohen rregullimit nga i njëjti organ i pavarur, në këtë rast Komisioni i Pavarur për Media”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se privatësia e mediave është ruajtur nga ndikimi politik e çdo ndikim tjetër që mund të perceptohej si i tillë nga publiku.
“Së këndejmi, asnjë parti politike dhe asnjë bashkësi fetare nuk mund të ketë pronësi në media”, thuhet tutje në njoftim.
Deputetët e pushtetit kanë miratuar të enjten dy ligje, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial, pavarësisht kritikave të vazhdueshme për përmbajtjen që kanë pasur shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Miratimi i këtyre dy ligjeve u bë pa prezencën e deputetëve opozitarë, të cilët paralajmëruan se ato do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.