Arbëri

Qeveria mban të fshehtë procesin për padi ndaj Serbisë për gjenocid

Klasifikimi i procesit si konfidencial ia ka pamundësuar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të shpalosë informacione në lidhje me një premtim të Qeverisë për padi për gjenocid ndaj Serbisë. Haxhiu, e pyetur për padinë për gjenocid e punën që është duke u bërë në këtë drejtim, ka paralajmëruar se do të ketë veprime konkrete së shpejti, por nuk ka dhënë më shumë detaje

“Po punojmë me ekspertë të çështjes, të huaj dhe vendorë dhe besojmë që për një kohë jo të gjatë do të kemi veprime konkrete në kuptim të adresimit të përgjegjësive që i kemi në këtë drejtim”, ka thënë të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në fakt, këto janë informacionet e vetme që Haxhiu ishte në gjendje t’i shpaloste në lidhje me punën e institucioneve për ngritjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid. 

Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se procesi është shumë i ndjeshëm dhe jo i lehtë.
Haxhiu së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, prezantuan punën që thanë se kanë bërë në drejtim të adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, mes të tjerash, përmendi shtimin e kapaciteteve në Prokurori e Polici, për të cilat nuk u shpreh e kënaqur.

“Ndonëse buxheti për të shtuar kapacitetet ka qenë më i madh, për më shumë prokurorë, gjegjësisht për 5 prokurorë më shumë, ende nuk është përmbushur sipas kërkesave tona ky numër, por, sipas zotimeve nga KPK-ja, do të përpiqen në vazhdimësi që të shtojnë numrin e prokurorëve në departamentin përkatës në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Haxhiu.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka përmendur punën nëpër komplekse memoriale.

Në lidhje me artefaktet e vjedhura nga Serbia, ministri Çeku tha se për më shumë se një vit informacione nuk kanë marrë nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, me gjithë zotimin se do të angazhohet në këtë drejtim.

“Nga ai moment nuk kemi marrë informacion kthyes nga ndërmjetësi, ndonëse ia kemi rikujtuar këtë zotim në raport me artefaktet. Ne besojmë që kjo çështjet duhet të marrë epilog, qoftë përmes dialogut, por jo si çështje e negocimit, sepse ato i takojnë Kosovës dhe duhet t’i kthehen Kosovës”, ka thënë ai.

Çeku ka paralajmëruar se në Qeveri së shpejti do të miratohet ligji i ri i racionalizimit të agjencive, me të cilin 10 institucione të trashëgimisë kulturore do të funksionojnë në kuadër të institutit të ri që do të themelohet.