Qeveria e Maqedonisë ka njoftuar se Ministria e Transportit ia ka marrë licencën e punës kompanisë, “Besa Trans”.
Në njoftim thuhet se autobusi i cili u aksidentua dhe u dogj në Bullgari, si pasojë e të cilit mbetën të vdekur 46 persona, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, nuk është evidentuar në evidentimin elektronik për dhënien e licencave.
“Pas dorëzimit të të dhënave zyrtare nga MPB-ja lidhur me autobusin e djegur në pronësi të “Besa Trans”, Ministria e Transportit ka vërtetuar se për të njëjtin nuk është dhënë licencë për transport ndërkombëtar të udhëtarëve. “Në përputhje me nenin 12 të ligjit për transportin e udhëtarëve, në mungesë të të dhënave që janë vërtetuar nga Ministria e Transportit dhe me qëllim që të parandalohet çfarëdo lloj vepre tjetër nga ana e kompanisë, që do të shkaktonte pasoja negative, kompanisë “Besa Trans BTB” i merret licenca, gjegjësisht i ndalohet kryerja e punëve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 46 persona kanë vdekur në aksidentin e së martës në Bullgari, kur autobusi i kompanisë “Besa Trans" është vetëaksidentuar dhe më pas është përfshirë nga flakët.
Ndërkohë, obduksionet janë kryer dhe tani kufomat po mbahen në pritjet të një vendimi të prokurorisë bullgare.
Por pritet identifikimi i ADN-ve, i cili do të zgjasë rreth 7 ditë, pasi shumë viktima janë dëmtuar shumë dhe nuk mund të identifikohen.
Për sa i përket personave të lënduar, të 7 të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën, por njëri është në gjendje më të rëndë pasi ka djegie të shumta.