Arbëri

Qeveria lavdërohet për të hyra, opozita kritikon për keqmenaxhim të parasë publike

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Ministri i Financave, Hekuran Murati duke prezantuar këtë raport ka thënë se ka pasur progres, duke thënë se viti i kaluar është përmbyllur me një deficit prej 46 milionë euro.

“Pranimet për vitin e kaluar fiskal kanë qenë 2 miliardë, kurse shpenzimet kanë qenë 2 miliardë e 625 milionë e 8 mijë euro, kjo nënkupton se ka pas rreth 3 milion euro më tepër në bilancin bankar më tepër se që kishte filluar viti. Pra, viti kishte filluar me 442 milionë euro në bilanc bankar, kurse ka përfunduar me 445 milionë euro. Këtu një kontribut të madh në rritjen e bilancit bankar kanë të hyrat vetanake të nivelit komunal të cilat janë grumbulluar nëpër vite”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka zvogëlim të faturave të faturave të papaguara.

“Shqetësuese mbetet rritja e detyrimeve kontingjente tek niveli qendror, pra kemi rritje enorme, që ka të bëjë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës i cili ka arritur në 77 milionë euro nga 17 sa ishte vite më parë", ka thënë ai.

Shqetësuese sipas tij, ka qenë edhe zotimet pa mbulesë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

“Një auditim që është bërë dhe një verifikim që po bëhet tani ka dalë që ka pas shumë zotime pa mbulesë nga ana e Fondit nëpër vite dhe që rezultojnë në obligime më të larta”, ka theksuar ai.

Detyrimet kontingjente, sipas tij, janë të larta edhe në nivelin lokal, duke përmendur Komunën e Prishtinës, që siç është thënë, detyrimet kontingjente i kishte 79 milionë euro.

“Sa i përket punësimit në nivelin qendror dhe lokal, kemi reduktim të numrit të stafit, nga mbi 81 mijë, në fund të 2022 ky numër është 80 mijë e 86, kemi reduktim prej 1604 persona. Shqetësuese është kontrata për shërbime të veçanta. Sa i përket raportit që përfundimisht ka pas një epilog rasti gjyqësor sa i përket vjedhjes së shumë për 2 milion euro”, ka thënë Murati.

Kritika ndaj raportit pati deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se ka pasur menaxhim katastrofal të parasë publike.

“Jam i bindur se raporti i buxhetit e tregon një menaxhim katastrofal, në tri aspekte e them këtë, e para nëse e krahasojmë më qeveritë paraprake, është përkeqësuar struktura e shpenzimeve, 41 për qind e buxhetit shkon në subvencione dhe transfere ka qenë rreth 32 për qind, 16 për qind në investime kapitale kanë rënë, kanë qenë 23 për qind. Keni hy në pjesën e dytë të mandatit dhe nuk shihet në bazë të progresit, realizimi i projekteve kapitale, nëse përafërsisht do të arrini t'i realizoni premtimet" ka thënë Hoti.

Kritika ai pati edhe për ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, lidhur me subvencionet në bujqësi.

“Ministri Peci, në vend se të merret ku po shkojnë subvencionet, si po zhvillohet bujqësia, ai merret me Ligjin e Duhanit, është mirë me ja ndërruar edhe titullin ‘ministri për ndalim të duhanit’. Tek investimet kapitale as gjë nuk keni bërë, rreth 500 milion euro i mungojnë ekonomisë si shkak i mospunës së qeverisë...Jeni tall me buxhet" ka thënë Hoti.

Sipas tij, ka rritje të mëditjeve për udhëtime jashtë vendit janë rritur.

“Kujt ia ke dhënë subvencionet. Qindra miliona euro nuk i keni vendos në raport. KOSTI-it i keni dhënë hua, kur kthen këto. Të hyrat vetanake të komunave kaos i ke bërë krejt. A din si e përshkruaj menaxhimin e buxhetit sikur ajo shprehja gjatë komunizmit, ‘qeveria gjatë kohës së komunizmit ta thyente këmben dhe ta jepte një shkop për tu mbajtur’ kështu i ke menaxhuar financat publike”, ka theksuar ai.

Këtyre kritikave i është kundërpërgjigjur Murati, duke thënë se komunat që udhëhiqen nga LDK-ja janë me të dobëta në realizimin e projekteve.

“Nëse e shohim në nivelin lokal e kemi komunën e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës që udhëhiqen nga ju, që janë më të dobëtit në realizimin e projekteve. Është për herë të parë që ndërmarrjet publike kanë më pak punëtorë, në këtë rast Telekomin, ku çdo vit keni shtuar punëtor, për herë të parë kjo është ndryshuar. I përmende shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, shihini vitet e kaluar dhe patjetër që kur i krahasoni me vitin kur ka qenë pandemia, prej mbi 11 milionë euro kjo ka rënë në 5.2 milionë euro, ju lutemi mos bënë propaganda të tilla. Ju nuk keni ble armatim”, ka thënë Murati.

Por, kjo nxiti reagim nga Hoti, duke thënë se në kohë të LDK-së është bërë plani 10-vjeçar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Mos fol kot se reagoj ndryshe, kush e ka bërë FSK-në, nuk mund të flasësh kështu. Kur them ku kanë shkuar avancet shih çfarë flet ky mashtrues. Ky mashtruesi tash e arsyeton vendimin për subvencionim për energji, këtë nuk e ki paraqit në raport. Qysh mu arsyetuar ku 41% të buxheti e keni dërguar në subvencione, kur doni me bë Zvicër ose Kroaci qe keni premtuar. Shenjë si ke lënë në ekonomi, i ke blloku të hyrat vetanake të komunave. Pse nuk po i çon ne bilanc bankar. Qysh me të kuptu kur në krizën më të madhe nuk i rrit pagat. 80 mijë punëtorëve u janë zvogëluar paga”, ka thënë Hoti.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka pyetur lidhur me pagesat për avanse, se sa është shuma e avanseve që janë bërë për blerjen e rezervave shtetërore.

Ai ka thënë se Ministria e Tregtisë ka shpenzuar mjete për të blerë mall i cili nuk ka ardhur për më shumë se një vit.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se do të ndihej keq për një raport ku investimet kapitale janë 15 për qind.

“E kuptoj se ju duhet me çdo kusht të mbroni edhe atë që është keqmemaxhuar, ju kuptoj se sot jeni para një prezantimi që edhe ju nuk jeni të kënaqur. Isha ndier keq nëse vetëm 15 për qind të investimeve kapitale është shpenzueshmëria e parasë publike. Nëse këtë e bëni që të mburreni, nuk kam fjalë. Ajo që mund të them, më të vërtetë ministrat kanë ardhur sa për t’u dukur, dhe jo që të merren me menaxhim të mirëfilltë dhe të realizojnë kërkesat e qytetarëve”, ka thënë ai.


Hoti – Muratit: Mosni morë kështu, a bari hanë këta njerëz këtu

Me kritika dhe ironi mes deputetëve të opozitës dhe ministrit Financave ka vazhduar pjesa tjetër e mbledhjes së Komisionit për Buxhet.

Derisa Qeveria është lavdëruar për rritjen e të hyrave nga deputetët opozitar kanë thënë se kjo ka ndodhur shkaku i rritjes së inflacionit.

"Ritmi i rritjes së mbledhjes së të hyrave tatimore është dyfish më i lartë brenda vendit, pra nga ekonomia dhe qarkullimi vendor sesa nga ajo që hyn në kufi", ka thënë ministri Murati.

Por, deputeti Hoti ka ironizuar me ministrin Murati.

"Mosni more kështu, po kjo çfarë po thoni ka kuptimin të ketë 0 për qind inflacion, tregoju njerëzve që 50 për qind ka qenë inflacioni në ushqime. Bari hanë këta njerëz këtu a?", ka thënë Hoti.

Por sipas ministrit Murati edhe vendet e rajonit kanë pasur rritje të inflacionit, por jo edhe e të hyrave

"Gjitha vendit e rajonit inflacionin e kanë më të lartë se ne, ky është fakt, Mali i Zi inflacionin e ka 17.5 për qind, Maqedonia e Veriut 14.2 për qind, inflacionin e kanë më të lartë por të hyrat nuk kanë mbërri t'i rrisin fare. Te ne inflacioni u ulet, mirëpo te hyrat janë rritur", ka thënë Murati.

Pas kësaj me një kundereplikë deputeti Hoti ka ironizuar me të.

"Pra, uji po shteret e ti po nxë më shumë peshq", tha Hoti.

Me ironi ia ktheu edhe ministri Murati, duke thënë se pyete deputetin Lekaj, ngase sipas tij, ai e di më mirë.

"Ku është teoria e juaj e gabuar, ndonjëherë edhe kur shteret uji, zë më shumë peshq, Pali e din dhe ta shpjegon", ka thënë Murati.


Murati përplaset edhe me bashkëpartiakun Rrahmani

Një përplasje pati edhe me bashkëpartiakun e tij, Eman Rrahmani, pasi ministri Murati tha se deputetët kanë më shumë këshilltarë se sa ministrat.

Rrahmani ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, duke i thënë Muratit se pse duhet t'i sulmojë deputetët sa herë që vijë në raportim.

Por, Murati ka mohuar se po i sulmon deputetët.

Debati u nxit pasi deputeti Ferat Shala pyeti ministrin Murati se sa e ka rrit numrin e këshilltarëve politikë dhe sa janë rritur pagat.

Murati tha se këshilltarë politikë ka më pak se secili ministër që kishte në qeveritë paraprake.

“Këshilltarët politikë ka më pak se secili ministër para meje. E tërë qeveria ka më pak sesa deputetët që kanë asistentë”, ka thënë Murati.

E në këtë reagoi Rrahmani duke pyetur sa asistentja kanë deputetët pasi ka më pak.

“Mos fol të pavërteta se nuk kanë marrë gjithë deputetët. Nuk mund të flasësh të pavërteta, edhe nëse i marrim të gjithë, ju sërish më shumë se deputetët që kanë. Sa këshilltarë janë gjithë komplet nëse jep kësi vlerësime. Ku ke problemin me deputetë, pse duhesh t'i sulmosh sa herë vjen në komision? Sa është numri”, ka pyetur Rrahmani.

“Një ministër i ka gjashtë këshilltarë, 15 ministri bëjnë 90 këshilltarë”, iu përgjigj Murati.