Në programin që e ka miratuar javën e shkuar, Qeveria Kurti ka shprehur synimin që deri në vitin 2025 shteti ta fitojë statusin e vendit kandidat. Por njohës të integrimeve evropiane thonë se kjo mund të mbërrihet vetëm nëse deri atëherë shtetësinë Kosovës ia njohin edhe Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja. Në Qeveri nuk kanë treguar se kur planifikojnë ta deponojnë në BE kërkesën për statusin e vendit kandidat
Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka nisur formalisht rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ende nuk e ka deponuar aplikacionin për ta marrë statusin e vendit kandidat.
Por në programin që e ka miratuar javën e shkuar, Qeveria e re ka shprehur synimin që deri në vitin 2025 shteti ta fitojë këtë status.
“Për të mundësuar planifikim më të mirë të procesit të integrimit, do të synohet në veçanti të arrihet që gjatë qeverisjes të bëhet: (...) Hartimi i një kornize të qartë institucionale për negociatat e anëtarësimit e përbërë nga dy shtylla kryesore: strukturat për negociata, të organizuara në grupe pune sipas kapitujve të negociatave dhe një udhërrëfyes për adoptimin e legjislacionit (acquis-së) të BE-së në legjislacionin kombëtar me synimin që brenda mandatit të parë të qeverisjes Kosova të jetë e gatshme që të merr statusin e shtetit kandidat”, thuhet në Program.
Në Qeveri nuk kanë treguar se kur planifikojnë ta deponojnë në BE kërkesën për statusin e vendit kandidat.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) midis Kosovës e BE-së ka hyrë në fuqi pesë vjet më parë. Dhe, ky moment nuk është pasuar me aplikimin për anëtarësim. Shqipëria dhe Maqedonia kishin dorëzuar aplikimin të njëjtin vit, kur kishin hyrë në fuqi MSA-të që ato i kishin firmosur. Madje, Serbia dhe Mali i Zi një hap të këtillë e kishin bërë menjëherë pas nënshkrimit të MSA-ve dhe pa hyrë marrëveshjet në fuqi. Kësisoj, vetëm Bosnjë-Hercegovina kishte bërë vonesa, por jo sa Kosova.
Njohës të procesit të integrimit, si Besnik Vasolli, thonë të jetë i vështirë sigurimi i statusit të vendit kandidat, për aq kohë sa Kosovës nuk ia njohin shtetësinë edhe Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja.
“Është proces shumë politik. Disa shtete e kanë kryer për një kohë më të shpejtë, disave iu ka nevojitur më shumë. Rasti i Bosnjës ka marrë me vite, po ashtu edhe Serbisë i është vonuar marrja e statusit të kandidatit”, thotë Vasolli. “Është vështirë për ta parashikuar, sepse nuk është proces teknik. Normalisht kërkesa bëhet nga shteti aspirues, shkon në institucionet e BE-së, atje shqyrtohet më detajisht dhe përgjigjja pastaj është politike. Në këtë rast, me mosnjohjen e Kosovës, përgjigjja do të ishte negative së paku në një të ardhme të afërt, përpos nëse ndryshojnë qëndrimin këto pesë shtete anëtare të BE-së”.
Mbështetur në Program, Qeveria ka në plan të formojë 35 grupe pune sipas kapitujve të negociatave për anëtarësim. Prej vitesh i ka të themeluara 7 sosh, dhe vazhdimisht ka pasur kritika për mungesë rezultatesh.
Besnik Vasolli nuk e sheh të menduar mirë përcaktimin e Qeverisë së re për të krijuar struktura për secilin kapitull.
“Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos i përsërisë gabimet e qeverive të kaluara kur ata krijuan mekanizma të tepërt, të cilët pastaj përfunduan duke e koordinuar koordinatorin. Kjo nxori telashe, sepse progresi real, sukseset mungonin, sepse humbej kohë shumë në struktura kush e thërret takimin, agjenda, raporte të shumta, por jo rezultate konkrete”, thotë ai. “Unë i kisha sugjeruar Qeverisë që më shumë të jetë e fokusuar në problemet kryesore dhe në zgjidhjen e tyre konkretisht e jo në krijimin e strukturave megalomane të cilat në rezultate deri më tani janë treguar të mangëta”.
Pavarësisht që BE-ja nuk ia njeh Kosovës shtetësinë, ajo gjeti një formulë për ta firmosur me Kosovën Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit. Autoritetet në Kosovë nuk kanë përmbushur pjesë esenciale të marrëveshjes, ndonëse kanë shkuar pesë vjet prej kur ajo ka hyrë në fuqi.
Megjithëkëtë, në programin e saj, Qeveria ka shprehur zotimin se do të angazhohet për forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në përmes zbatimit të MSA-së dhe reformave prioritare që e sjellin vendin më afër BE-së dhe kontribuojnë në konsolidimin institucional dhe në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
“Agjenda e reformave evropiane do të fokusohet në forcimin e sundimit të ligjit dhe në qeverisjen e mirë, përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe klimës së investimeve, si dhe forcimin e sistemit arsimor dhe punësimin. Në kuadër të kësaj agjende, Qeveria do të punojë për zvogëlimin e efekteve ekonomike dhe sociale të pandemisë COVID 19 në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me BE-në”, thuhet, mes të tjerash, në dokument. “Qeveria do të angazhohet për të qenë pjesë e nismave rajonale duke zbatuar detyrimet e vendit, veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit”.
Për të mundësuar planifikim më të mirë të procesit të integrimit, përpos aspekteve që lidhen me aplikimin për statusin e vendit kandidat, ekzekutivi ka shprehur synimin në Program që në veçanti të arrihet që gjatë qeverisjes të bëhet: Vlerësim i hollësishëm i zbatimit të gjertanishëm të MSA-së dhe në përputhje me gjetjet të propozojë masat përkatëse që mundësojnë përshpejtimin e zbatimit të saj; Planifikim më i mirë i procesit të integrimit duke synuar transformimin e kornizës ligjore dhe administrative përmes përmbylljes së ciklit të reformave të pajtuara me BE-në në kuadër të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA 2); Koordinim më i mirë i dikastereve shtetërore përmes dinamizimit të punës së strukturave koordinuese ndërinstitucionale për procesin e integrimit evropian.
Ndërkaq, në kuadër të reformave më të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit, sipas Programit, vëmendje më e veçantë do t’i kushtohet: Përmirësimit të performancës së ndërmarrjeve publike, depolitizimit dhe heqjes së kontrollit politik mbi ndërmarrjet publike; Implementimit të MSA-së dhe standardeve evropiane në sigurimin e konkurrencës së lirë dhe të drejtë në treg; Reduktimit në mënyrë progresive të ekonomisë joformale; Reformimit të sistemit arsimor dhe atij për mbrojtje sociale; Qeverisjes së mirë dhe transparente; dhe departizimit të administratës publike.