Ka më shumë se dy muaj prejse e ka nisur mandatin, por Qeveria Kurti ende nuk ka një plan pune. Në opozitë thonë se kjo po bëhet qëllimshëm, për të mos e mbajtur përgjegjës për ngecjet. Edhe në shoqërinë civile konsiderojnë se, në mungesë të planit, është e vështirë t’i matet performanca Qeverisë së re
Qeveria Kurti është duke punuar pa plan, prej kur është formuar më shumë se dy muaj më parë. Ajo ende nuk e ka miratuar dokumentin që përmban prioritetet vjetore, vizionin dhe kohën kur duhet përmbushur veprimet e listuara nga secila ministri veç e veç.
Në opozitë e kritikojnë për këtë Qeverinë.
“Plani i punës është letërnjoftimi i një qeverie”, thotë Besnik Tahiri, shef i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. “Mungesa e një plani të detajuar nënkupton që ke një narrativë që e ka secila qeveri, një politikë programore që buron prej një sqarimi e shpjegimi, por jo prej veprimeve konkrete. Z. Kurti ka çaluar. Për afro 60 ditë nuk ka mundur ta bjerë një program. Tash nuk ka një plan për t’i lëvizur prioritetet. Kërkesa jonë është: fokusohu në dy çështje, vaksinë-pandemi dhe ekonomi”.
Në shoqërinë civile kanë treguar një arsye shtesë pse është i nevojshëm dokumenti.
“Ky plan është i rëndësishëm për të mbikëqyrur punën e Qeverisë edhe nga aktorë të jashtëm, siç janë OJQ-të, mediat, por edhe më shumë shërbejnë edhe për vetë punën e Qeverisë për ta matur progresin apo ngecjen në implementimin e programit qeverisës”, thotë Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. “Është e domosdoshme që kjo gjë të përmirësohet pasi që përpos kapitalizimit politik të tyre, kjo është edhe në shërbim të qytetarëve, pasi që një qeveri me një plan të mirë dhe me një program të mirë të punës është edhe në funksion të qytetarëve, e edhe të interesit publik dhe shtetëror dhe vonesat e tilla nuk besoj që kanë arsye”.
Në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti nuk kanë treguar për arsyet e mungesës së këtij dokumenti. Nëpërmjet një përgjigjeje të shkurtër, vetëm kanë theksuar se Plani i Punës do të miratohet shumë shpejt.
Por Besnik Tahiri beson se mosmiratimi është i qëllimshëm.
“Këtu është edhe strategjia e kryeministrit: Në mungesë të një plani të saktë të detajuar, me veprime dhe data, opozita nuk ka se si të kërkojë llogari dhe përgjegjësi”, thotë ai. “Pra, vetë kjo mungesë është pjesë e një strategjie për të folur shumë e për të bërë asgjë”.
Edhe Arbër Fetahu thekson të jetë e vështirë ta matin performancën e Qeverisë Kurti pa i parë prioritetet, objektivat dhe veprimet e listuara paraprakisht nga Qeveria.
“Në këtë stad kur ende nuk kemi një plan të punës dhe të shohim se ku janë afatet, ku janë objektivat dhe cilat janë ato prioritetet më të larta që mund të vyejnë më shumë kohë për të përfunduar, është vështirë që ne ta japim një përfundim shumë të mirë objektivisht të artikuluar dhe të themi se këtu ka pasur më shumë ngecje apo më pak, prandaj plani është detyrimisht shumë i nevojshëm edhe për ne si OJQ”, thotë ai.
Qeveria Kurti ishte kritikuar edhe për vonesë në hartimin dhe miratimin e Programit mandator, e edhe të planit legjislativ. Këto dy dokumente ishin miratuar diku një muaj e gjysmë pas formimit të Qeverisë.