Arbëri

Qeveria kritikohet për bunkerizim, në prag të takimit Kurti-Vuçiq

Takimi Kurti-Vuçiq është paralajmëruar të mbahet për në gjysmën e qershorit, por data e saktë akoma nuk është konfirmuar. Opozita dhe shoqëria civile e kanë kritikuar Qeverinë për mostransparencë dhe mungesë përgatitjeje për këtë takim

Për në gjysmën e qershorit është paralajmëruar takimi i parë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin merr start faza e re e dialogut me Serbinë. Por, në Kosovë, ende nuk është prezantuar data e takimit dhe qeveria e re nuk ka publikuar një platformë mbi dialogun.

Në opozitë thonë të jetë shqetësuese kjo.

Valon Murtezaj, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike (LDK), thotë të jetë e pakuptueshme mungesa e informatave.

“Nuk ka fare transparencë. Transparenca është tepër me rëndësi, së paku për disa dimensione të cilat nuk prekin në esencë strategjinë dhe praktikat e procesit të negocimit. Pra, si mund të arsyetohet që publiku, qytetarët, të mos e dinë një datë të takimit i cili do të ndodhë pas disa ditësh, datë që do të jetë pastaj për të gjithë botën ta kuptojë”, thotë ai. “Këto janë të pakuptueshme dhe nuk duhet të shkohet deri në atë stad, sepse është çështje e mirëbesimit të komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe publikut në përgjithësi”.

Kritikë janë treguar edhe në shoqërinë civile.

Violeta Haxholli, e cila është pjesë e projektit për dialogun në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (IKD), ka numëruar një mori pyetjesh para takimit Kurti-Vuçiq, përgjigjet e të cilave thonë se do të duhej t’i dinin qytetarët.

“Ne ende nuk e dimë se cili do të jetë pozicioni i Kosovës në këtë takim, a ka ndonjë dokument të përgatitur, a ka ndonjë qëndrim që është i shkruar, cilat janë ato planet që qeveria planifikon t’i shtyjë përpara, qoftë në këtë takim apo edhe në takimet e ardhshme të dialogut, cila do të jetë qasja, cilat do të jenë kërkesat e Kosovës, cilat do të jenë vijat e kuqe”, numëron ajo. “Pra, ka shumë çështje për të cilat publiku ka nevojë të dijë, por gjithashtu duhet t’i dijë edhe Kuvendi i Kosovës”.

Këtyre kritikave nuk u janë përgjigjur në kabinetin e kreut të Qeverisë dhe as nuk kanë treguar se çfarë do të ofrojnë në funksion të rritjes së transparencës.

Valon Murtezaj argumenton pse qeverisë së tashme i takon më shumë se të tjerave që të jetë e hapur.

“Në veçanti, për të qenë edhe një hap më tepër transparent, u takon qeverisë aktuale dhe Vetëvendosjes, sepse tërë kohën kanë kritikuar, nganjëherë edhe me vend, për mungesën e transparencës, kur kemi qenë në angazhime të tjera”, ka theksuar ai. “Kështu që, sidomos me fuqinë tani politike që e kanë, nuk duhet të kenë drojë nga të qenët transparentë, sepse i kanë krejt ashtu si i kanë kërkuar”.

E në KDI shtrojnë nevojën që kryeministri Kurti të raportojë në Kuvend menjëherë pas takimit me presidentin serb.

“Transparenca rreth dialogut e rrit edhe besueshmërinë e edhe sigurinë te publiku lidhur me këtë proces dhe nuk lë hapësirë që të ketë konfuzion te qytetarët apo pasiguri në lidhje me atë se çfarë po ndodh në këtë proces”, ka thënë Violeta Haxholli.

Takimi Vuçiq-Kurti pritet të mbahet në Bruksel në mesin e muajit. Në funksion të organizimit të tij, këtë javë në Kosovë dhe Serbi kanë qëndruar emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer.