Arbëri

Qeveria i përgjigjet me pika shitëse “krizës humanitare” në veri

Asnjë dyqan ushqimor, barnatore e biznes hotelerie nuk ka filluar punën mëngjesin e së hënës, në Mitrovicën e Veriut.

Ato janë mbyllur në tërë qytetin në shenjë proteste, për shkak të taksës ndaj mallrave serbe.

Të gjitha bizneset dhe dyqanet në veri të Mitrovicës, janë të mbyllura, si shenjë revolte për taksën që e ka vendosur Kosova ndaj Serbisë. Banorët në këtë anë janë parë duke blerë produkte ushqimore në jug të qytetit, derisa shumë prej tyre nuk kanë pranuar të flasin para kamerës por kanë thënë se gjendja është e rëndë, raporton KTV.

Banorët kanë blerë kryesisht produkte ushqimore, teksa pretendojnë se rezervat ushqimore u kanë përfunduar.

Gjendjen e kanë cilësuar të vështirë edhe banorët shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës.

Por, dikush nga banorët serbë ka bërë më herët përgatitje, duke blerë produkte rezervë.

“Para dy-tre ditësh kam marrë mish, qumësht e produkte të tjera ushqimore. Nuk është e vështirë për neve, le t’i mbyllin të gjitha dyqanet, kjo është më e vështirë për shitësit, pasi ata do të mbesin pa para”, ka thënë një banore.

Siç raportojnë mediet serbe, Radosh Petroviq, kryetar i së ashtuquajturës “Shoqatë e Biznesmenëve në veri të Kosovës dhe Metohisë”, thotë se masat e Kosovës kanë sjellë banorët në prag të katastrofës humanitare.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në Mitrovicë të Veriut kanë hapur pika shitëse me pakicë, së bashku me bizneset kosovare.

Kjo, sipas Haradinajt, po bëhet me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve në veri, nga ajo që ai e ka quajtur simulim dhe koordinim të Serbisë, që po bën përpjekje për destabilizim.

Derisa bizneset shqiptare, kryesisht furra buke, prapa kamerës kanë thënë se të hënën i kanë shitur produktet më shpejt se ditët e tjera, pasi që kanë pasur edhe shumë klientë nga veriu.

Siç është paralajmëruar, dyqanet do të jenë të mbyllura edhe ditët në vijim.