Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë kurrfarë qëndrimi sa i përket propozimit të presidentes Vjosa Osmani për fillimin e zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë në këmbim të garantimit të sigurisë, njohjeve të reja dhe anëtarësimeve ndërkombëtare. E në BE thonë se për zbatim të marrëveshjeve s’duhet të ketë parakushte. Ndërkaq, njohës politikë theksuan se në prag të zgjedhjeve kryeministrit Albin Kurti, nuk do t’i shërbente zbatimi i njëanshëm i marrëveshjes me Serbinë
Zyrtarët qeveritarë kanë refuzuar prej një jave të komentojnë mbi propozimin e presidentes Vjosa Osmani për zbatim të njëanshëm të marrëveshjes bazë me Serbinë, në këmbim të tri garancive ndërkombëtare.
Në Zyrën e Kryeministrit nuk janë përgjigjur nëse Qeveria është gati ta zbatojë në mënyrë unilaterale marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, në këmbim të garancisë për siguri, për njohje të reja dhe anëtarësime ndërkombëtare.
Në Bashkimin Evropian (BE) thanë për KOHËN se mirëpresin deklarimet për zbatim, por nuk folën për siguresat që ua ka kërkuar Osmani.
Në një përgjigje të shkruar, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se marrëveshjet duhet të zbatohen pa parakushte.
“Ne mirëpresim gatishmërinë e deklaruar të Kosovës për të filluar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, kërkojmë që të përputhet deklarata me veprime konkrete dhe të fillojë ta bëjë këtë menjëherë. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha obligimet e tyre të dialogut pa ndonjë vonesë të mëtejshme apo vendosjen e parakushteve të reja, në mënyrë që të bëjnë përparim në rrugën e tyre përkatëse evropiane”, ka thënë Stano.
Mirëpo, njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se për llogari elektorale Qeveria e kryeministri Albin Kurti po heshtin ndaj propozimit të presidentes. Sipas tij, në prag të zgjedhjeve, Kurtit do t’i përkthehej negativisht zbatimi i marrëveshjes pa e bërë të njëjtën gjë edhe Serbia, për shkak të narrativave kundërshtuese që ka krijuar vazhdimisht ndaj marrëveshjeve me Serbinë.
“Kjo qasje politike është e mirënjohur tashmë dhe nuk bën ndonjë dallim, edhe pse unë mendoj që është krejtësisht e gabuar sepse me këtë qasje i bëhet dëm Kosovës. Por nuk duhet të harrojmë që jemi në fushatë zgjedhore, edhe ky populizmi ekstrem i kundërshtimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është pjesë e strategjisë politike për t’i mobilizuar edhe votuesit ekstremistë dhe veçanërisht edhe diasporën dhe unë mendoj që kjo është arsyeja”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, nëse Kosova do të merrte garanci të tilla, çfarë ka propozuar presidentja, do të ishte e paarsyeshme që Qeveria të mos pranonte. Ai jep shembuj se si Kosova ka përfituar nga zbatimi i njëanshëm i marrëveshjeve me Serbinë.
“Unë mendoj që nëse Qeveria e Kosovës e pranon në mënyrë të njëanshme realizimin e marrëveshjes, ajo do të fitonte shumë edhe në aspektin ndërkombëtar, edhe në aspektin vendor. E para, Kosovës historikisht i ka dalë shumë mirë me respektimin e tillë edhe në Rambuje, edhe në Vjenë, Kosova ka përfituar edhe pse Serbia nuk i ka respektuar. Aspekti i dytë është që, Serbia dhe Kosova i kanë rrugët e ndara drejt BE-së, edhe secili vend do të vlerësohet apo të ndëshkohet për mënyrën e respektimit të këtyre marrëveshjeve”, shtoi ai.
Në Bashkimin Evropian e përsëritën qëndrimin se s’ka avancim drejt BE-së pa zbatim të marrëveshjes për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi.
“Dështimi për të zbatuar atë (marrëveshjen) që është rënë dakord, do të ndikojë në aftësinë e tyre për të avancuar në aspiratat e tyre evropiane. BE-ja është lehtësuesi i Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jo palë në Marrëveshje”, ka thënë zëdhënësi Stano.
Edhe në deklaratën e nxjerrë nga BE-ja pas arritjes së marrëveshjes, është theksuar se moszbatimi i saj nënkupton ngecjen në rrugën e anëtarësimit.