Lidhja Demokratike kishte premtuar në zgjedhjet e fundit se një qeveri e drejtuar nga ajo do t’i kishte vetëm 12 ministri e secila sosh më së shumti dy zëvendësministra. Por kryeministri Hoti ka emëruar më shumë se dyfishin e zëvendësministrave krahasuar me këtë zotim të bërë. Në shoqërinë civile zotimet e kësaj natyre i shohin si tregues që partitë janë të vetëdijshme se është keqpërdorim i parasë publike kur emërojnë më shumë ministra e zëvendësministra sesa që premtojnë
Prishtinë, 27 janar – Nën sloganin BESO, Lidhja Demokratike pati listuar pikat programore për zgjedhjet e kaluara, e para nga të cilat kishte këtë përmbajtje: Qeveria e Kosovës do t’i ketë 12 ministri, secila sosh me vetëm dy zëvendësministra.
LDK-ja doli e dyta në zgjedhje dhe për pak muaj bashkëqeverisi me Lëvizjen Vetëvendosje. Pasi e braktisi koalicionin dhe e kaloi mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Kurti, mbërriti ta formonte qeverinë e vet me partnerë të rinj politikë.
Duke u bazuar në premtimet zgjedhore të vitit 2019 të Vetëvendosjes dhe LDK-së, dhe duke krahasuar me postet ministrore në Qeverinë Haradinaj, Instituti GAP kishte kalkuluar se mund të kurseheshin deri në 15.5 milionë euro në paga dhe shpenzime përcjellëse.
Agron Demi, analist politikash në Institutin GAP, tregon se një kursim i këtillë nuk është mbërritur.
“Edhe në koalicionin LVV-LDK nuk u mbajt premtimi zgjedhor dhe emëruan ministra e zëvendësministra më shumë se që u premtua, edhe pse më pak se në Qeverinë Haradinaj”, thotë Demi.
Avdullah Hoti, që LDK-ja e vuri në krye të Qeverisë, braktisi zotimin për numrin e ministrive dhe të zëvendësministrave.
Mbështetur në dokumente dhe të dhënat që ka ofruar Qeveria, që nga qershori kur e ka marrë mandatin, në 15 ministri Hoti ka emëruar gjithsej 51 zëvendësministra. Aktualisht në detyrë janë 47, 3 janë liruar nga detyra ndërsa një ka vdekur.
Hoti ka emëruar shumë më shumë zëvendës nëpër dikastere qeveritare, sesa dy, sa ishte zotimi para elektoratit.
Kësisoj, nga pesë zëvendësministra kanë: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë, si dhe Ministria e Kulturës.
Nga 4 zëvendësministra kanë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Bujqësisë.
Nga 3 zëvendësministra kanë Ministria e Punës, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga 2 zëvendësministra kanë Ministria e Arsimit, Ministria e Mbrojtjes, ajo për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Tregtisë, si dhe Ministria e Pushtetit Lokal.
Ndërkaq nga 1 zëvendësministër kanë Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.
Agron Demi thotë se vetë partitë e dinë që emërime kaq të shumta përbëjnë keqpërdorim.
“Kur partitë premtojnë se nuk do emërojnë më shumë se 12 ministra e 24 zëvendësministra, kjo tregon se partitë janë të vetëdijshme se është gabim dhe keqpërdorim i parasë publike nëse emërojnë më shumë se aq ministra e zëvendësministra”, thotë Demi.
Shtimi i numrit të zëvendësministrave përcillet me kosto të lartë buxhetore. Kjo për faktin se ata përpos pagës së rregullt realizojnë shpenzime edhe në shumë kategori dhe kanë të drejtë të rekrutojnë edhe një staf mbështetës.
Zv.ministrat në Qeverinë Hoti:
Ministria e Infrastrukturës
Artan Berisha
Arton Retkoceri
Hamza Balje
Muhamet Gashi
Xhavit Zariqi
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit
Muharrem Sfarqa
Ergin Bunjaku
Rexhep Kadriu
Muharrem Nitaj
Burbuqe Bakia-Deva
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Engelbert Zefaj
Qazim Rrahmani
Valdete Bajrami
Arbër Grabovci
Halil Matoshi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Bekim Brestovci
Teuta Sahatqija
Gani Dreshaj
Muhamet Brajshori
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
Enver Hoti
Bajram Kastrati
Bahrim Shabani
Jashar Qukiq
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale
Bashkim Krasniqi
Besart Dreshaj
Adnan Redzeplar
Ministria e Financave
Agim Krasniqi
Kushtrim Bahrimaj
Jasmina Jovanoviq
Ministria e Shëndetësisë
Resul Makreshi
Pjetër Ndou
Lua Gola
Ministria e Punëve të Brendshme
Agron Bacaj
Yildiray Bayram
Zafir Berisha
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Driton Bardheci
Xhavit Rexhaj
Ministria e Mbrojtjes
Muhamedali Mergjollari
Sadika Kofrc
Ministria për Komunitete dhe Kthim
Enis Sulejmanoviq
Selim Kryeziu
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
Nexhat Ramadani
Qerim Bajrami
Ministria e Pushtetit Lokal
Fatbardha Emini
Magbule Shkodra
Ministria e Drejtësisë
Florian Dushi
Ministria e Zhvillimit Rajonal
Eldis Abazi
Janë liruar nga detyra
Milan Radojeviq
Erxhan Galush
Sema Ispahiu
I vdekur
Nehat Ramadani