Dikasteret e Qeverisë së re ende nuk i kanë caktuar prioritetet. Për pasojë, ekzekutivi është duke punuar pa program, por i cili pritet të finalizohet shpejt, në një punëtori që për pjesëmarrës do t’i ketë kryeministrin, zëvendëskryeministrat e ministrat, e ngjashme sikur ajo e para një viti që ishte organizuar në Prevallë. Në shoqërinë civile identifikojnë prioritetet, të cilat duhet listuar në Programin e Qeverisë
Qeveria e re është duke punuar pa program. Dokumenti bazë mbi të cilin ajo do t’i zhvillojë politikat ende nuk është hartuar dhe për kohën e finalizimit të tij nuk kanë dhënë një informatë në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti.
Megjithëkëtë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se programi do të finalizohet brenda pak kohësh.
“Kabineti qeveritar, secili anëtar i tij, sipas përgjegjësive që kanë, është duke hartuar prioritetet sektoriale dhe politikat që u përgjigjen atyre prioriteteve”, thotë Kryeziu. “Së shpejti, do të organizojmë një punëtori me kabinetin qeveritar, ngjashëm sikurse gjatë Qeverisë Kurti I, në të cilën do të finalizohet Programi Qeverisës dhe Plani i Veprimit”.
Qeveria Kurti I kishte mbërritur ta përfundonte programin e saj pas më shumë se tri jave, prej kur e kishte marrë detyrën. Ishte bërë kjo në fund të shkurtit të vjetëm, në një punëtori tërëditore të organizuar në Prevallë, e që për pjesëmarrës kishte kryeministrin, zëvendëskryeministrat dhe ministrat.
Programin nuk mundi ta jetësonte, meqë u rrëzua me mocion mosbesimi pas 50 ditësh.
E, në fushatën para zgjedhjeve të muajit të shkuar që Vetëvendosjes ia dyfishuan votën, Kurti tha se i mbetet të çojë përpara politikat e proklamuara para një viti.
Por, pandemia COVID-19 ka ndryshuar shumë gjëra.
Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) identifikojnë si prioritet që duhet ta ketë Qeveria pikërisht përballjen me pandeminë COVID-19 dhe adresimin e pasojave në ekonomi që ajo ka shkaktuar.
“GLPS-ja mendon se Qeveria Kurti II duhet të ketë një plan qeveritar konkret, i cili duhet të bazohet në situatën e shkaktuar nga pandemia, meqenëse konsiderohet që pandemia ka pasur ndikim ndërsektorial”, thotë Rreze Hoxha-Zhuja, hulumtuese në GLPS. “Disa nga prioritetet e Qeverisë Kurti duhet që pa dyshim të jenë të drejtuara në menaxhimin e pandemisë. Pra, ndër prioritetet kryesore mbetet menaxhimi me pandeminë, ashtu që të vazhdohet me testime të shumta... Njëkohësisht duhet ndjekur veprimet për sigurimin e vaksinës dhe një plan konkret për vaksinimin e popullatës”.
GLPS-ja ka afër finalizimin e një analize të shkurtër lidhur me prioritetet të cilat duhet t’i ketë Qeveria Kurti II. Në të do të listohen edhe prioritete të tjera.
“Të rëndësisë së njëjtë kuptohet që mbeten edhe sistemi i drejtësisë, ose reforma në arsim, pastaj politika e jashtme e kështu me radhë”, thotë Hoxha-Zhuja. “Te sistemi i drejtësisë, nuk kemi çfarë ta diskutojmë nevojën për vetting. Ajo çfarë mbetet janë hapat konkretë të realizimit të kësaj reforme, e njëkohësisht edhe hapa të tjerë që prekin sektorët e tjerë”.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, Vetëvendosje nuk prezantoi ndonjë platformë. Por prioritetet
i ka renditur në një dokument të publikuar në uebfaqe, e që janë adresuar edhe nga Kurti. Në krye të prioriteteve janë listuar masat e veprimet e për t’u përballuar me pandeminë, përfshirë vaksinimin e së paku 60 për qind të popullatës. Pastaj, janë çështjet që lidhen me ekonominë dhe sektorë të tjerë.
Por, që nga dita e parë e mandatit të dytë, Kurti është përballur me kërkesën ndërkombëtare për ta bërë prioritet dialogun me Serbinë.