Arbëri

Qeveria e re nuk e di se si do të veprojë me vettingun në drejtësi

Dy ditë pasi mori besimin e deputetëve, në mbledhjen e parë punuese, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka miratuar programin qeverisës.

Por, për këtë program votuan kundër ministrat e Listës Serbe.

Prioritetet qeverisëse, sipas Hotit, do të jenë përballja me pandeminë e rimëkëmbja ekonomike, duke premtuar fond 1.2 miliardë euro.

Hoti ka thënë se prioritet do ta kenë edhe dialogun me Serbinë.

Por, qeveria që drejton Hoti nuk ka ide të qartë se si do të veprojë me vettingun në drejtësi, duke e vënë në pikëpyetje këtë proces, raporton KOHA.

Këtë qëndrim e ka dhënë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se në kuadër të reformës shtetërore prioritet kanë edhe Ligjin për Qeverinë.

Ministri i Mbrojtjes kërkoi që në kuadër të programit qeverisës të jetë edhe shërbimi ushtarak, premtim ky edhe i ish-kryeministrit Kurti.

Kabineti qeveritar ka ndarë 25 mijë euro për familjen e Agon Musliut, i cili vdiq në Qendrën e Studentëve, e cila ishte shndërruar në karantinë.

Në këtë mbledhje kanë folur thuajse të gjithë ministrat, të cilët kanë uruar njëri-tjetrin për detyrën.

Pas mbledhjes së parë punuese të Qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti ka shmangur interesimin e gazetarëve, pasi nuk doli fare në konferencë për media.