Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja me Serbinë është ligjërisht e obligueshme atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Por Kurti në fjalimin para Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes nuk i ka përmendur raportin e Departamentit amerikan për Ujmanin e as zotimet e tjera të Uashingtonit. Juristët paralajmërojnë pasoja në rast të mospërmbushjes së obligimeve që janë marrë përsipër nga qeveritë paraprake
Në javën kur Departamenti Amerikan i Shtetit ia prezantoi Qeverisë fizibilitetin për Liqenin e Ujmanit, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur katër qëndrimet rreth dialogut në përgjithësi. Por ende nuk është deklaruar për dokumentin amerikan që mes të tjerash rekomandon një traktat Kosovë-Serbi për shfrytëzimin e përbashkët të Ujmanit. Ky propozim është derivat i Marrëveshjes së zotimeve të 4 shtatorit të vitit të kaluar, të cilën Qeveria aktuale e konsideron se nuk ka peshë juridike.
Nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, të dielën, Kurti ka thënë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme atëherë kur ajo i ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare.
“Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila ka vetëm njohjen nga Serbia, por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare. Dhe, marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, nga pikëpamja e bindja jonë, atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatet”, ka theksuar Kurti.
“Po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin e BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por dialogu nuk është për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë, dhe e katërta, pavarësia që e kemi është kompromis, e kemi shpallur para 13 vjetëve dhe 4 vjetët e parë, pavarësia e kishte Pieter Feithin sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisaarin brenda si kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë”.
Qeveria duke e analizuar raportin për Ujmanin
Kurti ende nuk është deklaruar për raportin e Departamentit amerikan rreth Ujmanit që u publikua të mërkurën. Ai, mes të tjerash, rekomandon një traktat mes Kosovës e Serbisë për shfrytëzimin e përbashkët të Ujmanit.
Në Zyrën e kryeministrit kanë thënë të dielën se raporti është duke u analizuar nga ekspertët e fushës. Për zotimet e Uashingtonit kanë thënë se më e vlefshmi është njohja e Kosovës nga Izraeli.
“Siç e dini, kanë ndodhur ndryshime dhe ka pasur zhvillime të reja politike në Kosovë dhe rreth Kosovës, që nga 4 shtatori i vitit të kaluar, kur u nënshkrua dokumenti me zotime në Uashington.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e 15 qershorit, në Bruksel, i ka paraqitur katër propozime. Për Qeverinë e Kosovës, këto propozime janë baza prej nga duhet të nisë rruga e dialogut të ri për statusin e marrëdhënieve të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sa u përket zotimeve të Washingtonit, më i vlefshmi e që tashmë është jetësuar, është njohja e Kosovës nga Izraeli”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së KM-së.
Derisa qeveria Kurti nuk ka dhënë sinjale se do t’i përmbushë zotimet e qeverisë paraprake në Uashington, amerikanët e kanë deponuar në Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë raportin prej 53 faqesh për Ujmanin.
Propozimi i ShBA-së është që palët ta marrin si shembull mënyrën e funksionimit të lumit Kolumbia.
“Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia t’i marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve, duke modeluar nevojat institucionale për ta mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan për Energji.
Ujmani është liqen artificial dhe përbën ujëmbledhësin më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Penda e tij është ndërtuar midis viteve 1970-1984. Ka një hidrocentral që prodhon 35 megavat për orë energji elektrike, si dhe kanalin e gjatë Ibër-Lepenc.
Projekti është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, ndërsa obligimin për pagesë e kishte marrë Kosova, e cila njëkohësisht kishte bërë edhe eksproprijimin e pronave.
Hasani: Kosova nuk mund të tërhiqet nga marrëveshjet
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka paralajmëruar pasoja në rast se Kosova tërhiqet njëanshëm nga zotimet.
“Në një rast të tillë pala amerikane do të kërkojë zgjidhje politike të mosmarrëveshjes. Nëse nuk shkon siç duhet me mjete politiko-diplomatike, atëherë vijnë në shprehje procedurat e arbitrazhit, sepse nuk mund të tërhiqen shtetet kur të duan dhe si të duan nga detyrimet e marra ndërkombëtare. Njëanshëm mund të tërhiqemi vetëm nëse ekziston leja e palës amerikane si përpilues i tekstit dhe si garantues i saj”.
Sipas tij, Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje ndërkombëtare e krijuar përmes akteve të njëanshme juridike që quhen zotime dhe që së bashku përbëjnë tekstin e Marrëveshjes.
“Ato zotime janë të palës kosovare, serbe dhe asaj amerikane. Kjo e fundit, për dallim nga dy të parat, ka edhe rolin garantuese të zbatimit të Marrëveshjes. Kushdo që mendon ndryshe e ka gabim juridikisht deri në pafundësi. Më lejoni që t'jua rikujtoj rastin Ihlen që është vendosur nga GJND-ja në vitin 1933. Deklarata e ministrit të Jashtëm norvegjez që ka thënë se nuk kanë pretendime territoriale ndaj Grenlandës Lindore i ka kushtuar me humbjen e këtij ishulli. Pse? Sepse GjND-ja ka thënë se deklaratat e ekzekutivit janë të detyrueshme. Kështu është edhe me Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën njëanshëm e ka marrë përsipër në emër të Kosovës Qeveria Hoti”, ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Hasani shton se nëse Qeveria vlerëson se raporti për Ujmanin nuk është në pajtim me Marrëveshjen e Uashingtonit, atëherë duhet t’ia tregojë palës amerikane arsyet për këtë.
“Ky raport përbën implementim të Marrëveshjes se Uashingtonit nga ana e palës amerikane. Në këtë fazë nuk ka nevojë për ndonjë ndërhyrje shtesë nga ana e Kuvendit të Kosovës, sepse bëhet fjalë për raport teknik që ka implementim njërin prej zotimeve të Marrëveshjes se Uashingtonit. Qeveria thjesht duhet ta pranojë si të tillë dhe të shprehë gatishmërinë për ndjekjen e fazave të tjera për vënien në jetë të tij. Nëse eventualisht mendon se ky raport nuk është në pajtim me Marrëveshjen e Uashingtoni, atëherë duhet t'i tregojë palës amerikane arsyet për një gjë të tillë”, ka shtuar ai.
Por Kurti në një intervistë për mediumin prestigjioz francez “Le Monde” ka shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën administratën e Joe Bidenit nuk do t’i marrin parasysh idetë e ish-presidentit Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Zgjedhja e presidentit Biden është një sinjal shumë pozitiv. Së pari, Joe Biden është bërë udhëheqësi i socialdemokratëve në botë, është një kohë shumë interesante. Së dyti, unë besoj se administrata amerikane nuk merr shumë parasysh atë që zoti Trump kishte bërë në mënyrë diplomatike. Kjo histori absurde e shkëmbimit të territoreve ka mbaruar, nuk flasim më për të”, ka thënë Kurti në përgjigjen e tij për këtë çështje.
Serbia e fajëson Kosovën, insiston në themelimin e Asociacionit
Në anën tjetër, zyrtarët serbë e kanë fajësuar palën kosovare për mungesën e rezultateve në dialogun e deritashëm.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk e kupton se si Kosova nuk e ka formuar ende Asociacionin e Komunave Serbe, që sipas tij është detyrimi i vetëm i marrë nga pala kosovare deri më tash.
“Nuk besoj se BE-ja, SHBA-ja dhe të tjerët janë aq të pafuqishëm sa nuk mund të ndikojnë në përmbushjen e këtij detyrimi të vetëm. Por, sidoqoftë, ne jemi të durueshëm dhe këmbëngulës, nuk heqim dorë nga dialogu, nuk largohemi nga tavolina e dialogut, pasi e dimë se është mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje. Ne e kuptojmë se zgjidhja nuk mund të jetë ideale për të dy palët, por duhet të na japë hapësirë për të ndërtuar një të ardhme në paqe, pa sulme dhe pa frikë për sigurinë”, ka thënë Daçiq. “Ne duam të gjejmë një zgjidhje. Nuk duam që çështja e Kosovës dhe Metohisë të mbetet nën status quo. Për sa kohë që nuk ka zgjidhje, komuniteti serb në Kosovë dhe Metohi jeton në frikë për sigurinë e vet dhe të pronave të veta, e cila është e paqëndrueshme. Të dy kishat dhe manastiret tona janë nën presion të vazhdueshëm nga shqiptarët. Incidentet janë të shpeshta, që nga uzurpimi i pasurisë së kishës e deri te dëmtimet e kishave e varrezave. Për këtë arsye duhet të jemi të durueshëm dhe konstruktivë në dialogun që po e zhvillojmë nën kujdesin e BE-së për një dekadë të tërë”.
Dialogu i rinisur në Bruksel mes Kurtit e presidentit të Serbisë, Vuçiq, nuk prodhoi ndonjë rezultat. Ndërkaq, një takim i radhës është planifikuar të mbahet para 25 korrikut.