Salla plenare e Kuvendit do të kthehet të premten në arenë përballjeje për dialogun Kosovë-Serbi.
Debati do të organizohet me kërkesë të Qeverisë, kanë thënë burime në këtë institucion.
“Synohet që në këtë seancë të diskutohet për marrëveshjet e deritashme të arritura në kuadër të dialogut – për nivelin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve dhe për ndikimin që ato kanë pasur në jetën e qytetarëve”, ka thënë burimi i KOHËS..
Kryeministri Albin Kurti kishte dhënë zotimin se, përpara rinisjes së dialogut me fqinjin verior, do të shqyrtoheshin marrëveshjet e deritashme.
Megjithëkëtë, në Kuvend vetëm do të diskutohet mbi to, dhe burimet nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë nëse synohet të nxirret ndonjë rezolutë në fund të debatit, me të cilën do të konstatohej shkalla e përmbushjes së marrëveshjeve apo edhe të jepej zotimi për t’i zbatuar ose jo këto dokumente.
Në shoqërinë civile konsiderojnë të jetë me rëndësi transparenca për këtë proces.
“Ne si KDI kemi bërë thirrje që Kuvendi ta thërrasë në raportim Kryeministrin Kurti, që ai të raportojë rreth të gjitha zhvillimeve me dialogun që kanë ndodhur deri më tani, duke përfshirë edhe samitin e Brukselit ku është diskutuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, edhe pse s’ka pasur takime mes dy palëve, pastaj edhe vizitat që patëm të z. Lajçak dhe z. Palmer në Kosovë. Ka pasur edhe disa non-papers që kanë qarkulluar në publik”, ka deklaruar Violeta Haxholli nga KDI.
Rinisja e dialogut do të ndodhë në mesin e javës së ardhshme, kur kryeministri Albin Kurti do të takohet për herë të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në funksion të organizimit të tij, javën e shkuar në Kosovë dhe Serbi kanë qëndruar emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer.
Në Qeveri nuk e kanë konfirmuar informatën për inicimin e debatit parlamentar, para takimit të Brukselit. Megjithëkëtë, seanca mund të organizohet nëpërmjet procedurës së përshpejtuar, nëse këtë e kërkon kreu i Ekzekutivit.
Kryesia e Kuvendit do ta mbajë të martën një mbledhje të Kryesisë, por në rend dite nuk e ka edhe kërkesën për këtë debat.