Arbëri

Qeveria amniston mosinkasimin dhjetëramilionësh të taksës për shfrytëzim të ujit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke operuar me të dhëna kontradiktore të borxhit që ambalazhuesit e ujit kanë ndaj shtetit. Ani se në raportin e një grupi punues brenda kësaj ministrie është konstatuar se borxhi i këtyre kompanive është rreth 20 milionë euro, në një përgjigje me shkrim për KOHËN ky dikaster thotë se ky borxh nuk ekziston

Shkeljet që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka bërë deri në vitin 2021, duke mos inkasuar taksën për shfrytëzim të ujit nga kompanitë e ambalazhimit, janë amnistuar edhe nga Qeveria Kurti.

Ani se në raportin e fundvitit të shkuar, të nxjerrë nga një grup punues brenda Ministrisë, është konstatuar se borxhi i këtyre kompanive është rreth 20 milionë euro, në një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga ky dikaster thonë se në të vërtetë ky borxh nuk ekziston.

I vetmi borxh, sipas Ministrisë, është ai në vlerë prej 844 mijë eurosh.

“Ato janë shifra fiktive dhe nuk janë borxhe apo obligime reale dhe ligjore. Ato borxhe nuk figurojnë në databazën e MMPHI-së, sepse janë kalkulime të raporteve dhe analizave në dokumente jozyrtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Një borxh në vlerë prej 59 milionë eurosh është përmendur në një raport të Këshillit Ndërministror për Ujërat, i cili kishte bërë përllogaritje në bazë të Udhëzimit Administrativ për strukturën e pagesës së ujit 06/2006. Aty parashihet që kompanitë që nuk raportojnë, ngarkohen sipas kapaciteteve maksimale.

Por, sipas Ministrisë, borxhi nuk është ligjor, pasi që kompanitë nuk kanë raportuar ashtu siç parashihet me Udhëzimin Administrativ për strukturën e pagesave të ujit, e as Ministria, përkatësisht Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore nuk ka përgatitur vendimet financiare për kompanitë.

Më 2017-n, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ua pati falur ambalazhuesve borxhin, porse më pas vendimi ishte anuluar duke u zëvendësuar me “lehtësira” për ta.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, ka thënë se të dyja palët janë fajtore për mosinkasimin e taksave.

“Ministria është dashur që t’i qesë matësit dhe të reagonte shumë më herët, nuk është çështje vetëm e kompanisë, por edhe e Ministrisë qysh e ka trajtuar këtë problematikë. Ne e kemi thënë edhe në të kaluarën. Tarifat që kanë qenë të vendosura fillimisht kanë qenë shumë të larta, kanë qenë nga më të lartat në Evropë, pse është bërë kjo ne nuk e dimë. Kur është ndërruar tarifa që është ulur për shumëfish nuk është trajtuar çështja e të hyrave potenciale, që ka mundur t’i inkasonte Ministria si rrjedhojë e shfrytëzimit të ujit nga kompanitë. Tash kanë dhënë raporte të ndryshme, por në asnjërën nuk është trajtuar kjo çështje seriozisht”, ka thënë Panxha.

Në të kaluarën Inspektorati i Ministrisë pati deponuar disa lëndë në Prokurori për mosraportim dhe mospagesë të borxheve nga kompanitë. Për këtë ishte shkarkuar edhe ish-drejtori i ujërave, Gani Berisha.

Por, sipas zyrtarëve të Ministrisë, tani ka një avancim në bashkëpunim me operatorët ekonomikë që kanë trashëguar obligime nga e kaluara, dhe se, siç thonë, vendimi i ish-kryeministrit Haradinaj ka shkaktuar konfuzion dhe pasoja.

Nga viti 2021, sipas këtij dikasteri ka rritje të inkasimit të të hyrave nga pagesat ujore dhe ato janë rreth 3 milionë euro.