Arbëri

Qeveria akuzohet se e bëri praktikë moszbatimin e aktgjykimeve të Kushtetueses

Qeveria dhe as Kuvendi ende nuk kanë zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagat në sektorin publik. Përfaqësues të sindikatave u ankuan për këtë, ndërsa në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se Qeveria e ka bërë praktikë moszbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese

Edhe një muaj bëhet një vit prej kur Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pavlefshme disa nene të Ligjit për paga në sektorin publik, dhe u ka dhënë afat Qeverisë dhe Kuvendit që deri në gushtin e sivjetmë t’i bëjnë ndryshimet e kërkuara.

Ndonëse kanë kaluar tre muaj që nga afati i përcaktuar, institucionet nuk i kanë miratuar ndryshimet e dispozitave kundërkushtetuese, kryesisht për kategoritë që me ligj kanë pësuar ulje pagash, heqje shtesash dhe trajtim jo të barabartë ndërmjet pozitave.

Për mosrespektimin e këtij aktgjykimi është diskutuar të premten në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në të cilin përfaqësues të sindikatave e kanë cilësuar këtë si sfidë për rendin kushtetues. 

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike, ka thënë se institucionet po shpërfillin aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e ka thënë në mënyrë të qartë se Ligji mbi pagat ka kundërthënie dhe nuk është në harmoni me Gjykatën Kushtetuese, që mund të konstatojmë që ka defekt. Pastaj, pasoja e dytë është që, kjo Qeveri, krahas që nuk ka ndërhyrë të bëjë përmirësimin e duhur në Ligjin e pagave, nuk ka vepruar në respekt edhe të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku në mënyrë specifike edhe i sqaron dhe rekomandon që të bëjë plotësim-ndryshimin”, ka thënë Gashi.

E kryetarja e Federatës së Shëndetësisë, Tevide Imeri, ka thënë se kërkesat për zbatim të këtij aktgjykimi kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Përgjigjja e tyre është se ata nuk po e gjejnë nëpër vendime dhe as në aktgjykim këtë të drejtë, të cilën ne po e kërkojmë, e drejtë e cila është marrë me Ligj të pagave shëndetësore, konkretisht po flas, me çka ata kanë bërë zbritje në pagë, kanë bërë një ulje edhe të përvojës së punës nga 0.5 në 0.025, do të thotë është gjysma e asaj dhe ju e dini se është e drejtë kushtetuese dhe e drejtë e fituar paga. Paga është pronë dhe nuk mund ta prekë askush. Në këtë rast, me Ligjin e pagave është prekur, me aktgjykim është kthyer, por nuk po zbatohet”, ka thënë Imeri. 

Naim Jakaj, hulumtues në IKD, ka theksuar se Qeverisë i është bërë praktikë moszbatimi i aktgjykimeve të Kushtetueses.

“Mosmiratimi i ndryshimeve në Ligjin për pagat në sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të kësaj gjykate, shkelje të Kushtetutës, cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë, si dhe krijohet një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë”, ka thënë ai.

Përveç Ligjit për paga, sindikalistët shprehën pakënaqësi edhe për Ligjin për zyrtarët publikë, i cili gjatë javës së kaluar u kontestua përsëri në Kushtetuese nga dy parti opozitare.