Arbëri

Qentë endacakë, alarmi i përvitshëm

Të shumta janë sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve të pothuajse secilës komunë në vend, sidomos atëherë kur ulen temperaturat.

Rasti më i freskët është ai i një gruaje shtatzënë, ku ditë më parë u sulmua nga dhjetëra qenë endacakë në rrugën “Ibrahim Oruqi” në lagjen “Mati 1” në kryeqytet, raporton KOHA.

Ajo derisa po kthehej nga çerdhja ku i kishte dërguar dy fëmijët e saj, me të arritur afër shtëpisë ku jeton, u kafshua disa herë nga dhjetëra qenë endacakë.

Ky rast shtyu kryetarin e Komunës së Prishtinës të kërkojë që t’u kthehet përgjegjësia komunave për t’i trajtuar qentë endacakë.

Ai në një status në Facebook kishte shkruar se përkundër që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë 1.3 milionë euro për këtë çështje, gjendja aktuale është më keq se më parë.

Korab Lecaj është njëri ndër shumë prindërit që ka përvoja të këqija me qentë endacakë.

Lecajt, qentë endacakë ia kanë sulmuar djalin e tij 4-vjeçar në prezencë të tij.

Ai kishte telefonuar edhe policinë, megjithatë këta të fundit nuk ishin përgjigjur.

Antigona Isufi është një tjetër viktimë e sulmeve të qenve endacakë.

Ajo ishte sulmuar në oborr të QKUK-së nga një numër i madh i qenve, përderisa e ka pasur problem derisa e ka siguruar një vaksinë kundër tërbimit.

Andaj ajo është duke e përgatitur një padi kundër Komunës së Prishtinës.

Nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thonë se çdo ditë po shtohet numri i qenve endacakë, por sipas tyre kjo çështje kërkon trajtim më serioz.

Ndërsa, në rrjetin social Facebook janë të krijuara disa grupe, ku bëjnë pjesë vetëm viktimat e këtyre sulmeve apo edhe prindërit e fëmijëve të sulmuar.